Çështja shqiptare dhe luftërat ballkanike
Nexhmedin Z. Bardhi
Tashmë është e njohur se, shqiptarët, si një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, gjatë periudhës së sundimit osman nuk kanë reshtur së luftuari kundër pushtueseve.
Shekulli i XIX, si në tërë Ballkanin edhe në Shqipëri, shënoi një gjallërim të luftës së tyre. Gjatë viteve 1830-70-të shënohet një lëvizje e fuqishme në formën e një varg kryengritjesh kundër regjimit të centralizmit burokratik të Portës së Lartë.
Një pikë kulmore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare përbën periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Lufta e armatosur nuk u ndërpre dhe gjatë viteve 1881-1909, duke synuar të njëjtat objektiva si dhe në vendet e tjera të Ballkanit.
Një vrull më të lartë morën veprimet luftarake sidomos në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, çka kaloi në krijimin e premisave të ndryshme politike e ushtarake për shpërthimin e kryengritjeve të viteve 1910-1912.
Lëvizja shqiptare, duke e vlerësuar luftën e armatosur të popujve të Ballkanit si një proces të përbashkët në altarin e arritjes së pavarësisë e të bashkimit kombëtar, është përpjekur të bashkërendoj veprimet e saj me ato të popujve fqinjë.
Kjo frymë nuk ka munguar të shfaqet në shumë raste si solidaritet dhe bashkëpunim në aksionin e përbashkët kundër pushtuesit otoman. Lëvizja shqiptare, jo vetëm ka qenë një forcë potenciale në këtë luftë, por është vlerësuar si një komponent i rëndësishëm aktiv në lëvizjen çlirimtare në Ballkan.
Karakteri i Luftës Ballkanike në raport me pushtuesit osman, përputhej plotësisht me qëllimet dhe aspiratat e popullit shqiptar. Prandaj lëvizja shqiptare qysh në fillim të shekullit të XX dhe sidomos në prag të luftës, bëri të gjitha përpjekjet të renditej përkrah fqinjëve.
Por synimet shoviniste të fqinjëve nuk e lejuan, bile e sabotuan e luftuan një bashkëpunim të tillë.
Tani që sundimi otoman në Ballkan po perëndonte, ndarja e plaçkës ishte kthyer në një objekt themelor të politikës dhe strategjisë së tyre, realizimin e së cilës synonin ta realizonin kryesisht nëpërmjet copëtimit të trojeve të Shqipërisë e Maqedonisë, duke i dhënë luftës ndaj tyre një karakter të padrejtë.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1911-12 në asnjë mënyrë nuk mund të merren të shkëputura nga Lufta Ballkanike, ato i paraprinë asaj, si në aspektin ushtarak dhe atë moral.
Goditjet e fuqishme, që morën pushtuesit osman në Shqipëri, si dhe dezertimet në masë të shqiptarëve nga formacionet turke, jo vetëm i kishin dobësuar forcat ushtarake të Portës së Lartë në rajon, por kishin ndikuar në shthurjen morale dhe në rënien e aftësive luftarake të tyre dhe në zona të tjera.
Duke vlerësuar këtë fakt, në memorandumin e Qeverisë së Vlorës dërguar Konferencës së Ambasadorëve në Londër në janar 1913, shprehet ideja, se lufta e vendeve të aleancës ballkanike
deri diku është vazhdim i kryengritjeve të fundit të Shqipërisë dhe sukseset e tyre të ndjeshme mund të konsiderohen me plotë të drejtë si frytet e veprës së çlirimit me të cilën shqiptarët, si sot, ashtu dhe në të kaluarën
janë shquar për trimëri.
Nga ana tjetër gozhdimi i forcave të shumta turke në Shqipëri, ishte faktor lehtësues për përparimin e shpejtë të forcave të aleancës në fronte e tjera sidomos kur veprimtaria luftarake zhvillohej jashtë territorit shqiptar.
Ky fakt bëhet më domethënës po të mbajmë parasysh se drejtimet e mësymjes së ushtrive të aleancës ballkanike në Maqedoni konvergonin drejt Shqipërisë.
Duke pasur si bazë nisjeje, nga jugu ato të Greqisë, nga veriu e verilindja ato të Serbisë e Malit të Zi, nga lindja ato të Maqedonisë, mundësia e veprimit të ushtrisë turke ngushtohej në rajonin shqiptar në veprimet luftarake.
Gjendja e ndezur luftarake në Shqipëri, jo vetëm kërcënonte shpinën e ushtrisë turke, por krijonte çrregullime në të gjithë dispozitivin e saj.
Krahas luftërave ballkanike, në Shqipëri po zhvillohej një proçesë nga më të shquarit e historisë së saj, kurorëzimi i pavarësisë kombëtare. Në krye të kësaj lëvizje kombëtare tashmë qëndronte një udhëheqje politike e aftë, Qeveria e Vlorës.
Duke vlerësuar realisht situatën tejet të ndërlikuar ajo rrezatoi pjekuri dhe mesazhe miqësie me fqinjët.
Shqiptarët nuk kishin qëllim tjetër veçse të rronin në paqe me të gjitha shtetet fqinjë dhe shpresonin se çdo veprim armiqësor në tokat e tyre kombëtare nga ana e ushtrive të aleancës ballkanike do të pushonte, se të gjitha krahinat shqiptare që ishin të pushtuara nga këto ushtri do tu ktheheshin atyre përsëri.
Duke përcjell mesazhe se me fqinjët kërkon marrëdhënie të përzemërta aq dhe të qëndrueshme, Qeveria e Vlorës, duke vlerësuar realisht situatën, përcaktoi asnjanësinë në luftërat ballkanike. Ndërkohë ngjarjet zhvilloheshin, ushtritë e aleancës ballkanike përpiqeshin të pykëzoheshin gjithnjë e me shumë në thellësi të territorit shqiptar me qëllime të qarta aneksioniste.
Në këto rrethana Qeveria e Vlorës përpunoi dhe bëri përpjekje të zbatonte një plan strategjik ndaj synimit aneksionist të secilit kundërshtar. Kështu shqiptarët nga shtetet ballkanike shikoheshin si mjet lufte si pre e lehtë për ti realizuar synimet e tyre pushtuese në territoret e banuara kryesisht me ta.
Pra, faktikisht, të gjitha shtetet fqinje ishin kundër shqiptarëve. Kryqëzatë e vërtetë antishqiptare, edhe gjatë historisë ata asnjëherë nuk i kishin sulmuar tokat e huaja, por gjithnjë patën bërë luftëra mbrojtëse, duke u ndodhur në rrezik të gjenocidit dhe shpërnguljes masive nga territoret e veta shekullore.
Në këto kushte shqiptarëve nuk u mbetej rrugë tjetër përveçse të mbanin gjallë çështjen kombëtare me forma të ndryshme të rezistencës. Ky ishte pozicioni më i qartë në dekadën e parë të shekullit të XX.
Të ndodhur në pozita të palakmueshme shqiptarët bënë të gjitha përpjekjet që me anë të kryengritjeve ti fitonin të drejtat legjitime, në mënyrë që ti vinin fqinjët para faktit të kryer.
Zhvillimi i Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, në verën e 1912-ës, me përmasat e saj shqetësoi fqinjët ballkanikë, të cilët, duke e parë mundësinë e krijimit të Shqipërisë autonome, ishin të vetëdijshëm se çështja shqiptare nuk mund të hiqej kurrë nga rendi i ditës pa marrë një zgjidhje. Rrjedhimisht, këto shtete situatën e krijuar në trevat shqiptare e konsideronin si atak ndaj interesave të tyre ekspansioniste.
Dihet se Perandoria Osmane, më 17 gusht pranoi kërkesat e Kryengritjes së Përgjithshme që kufijtë e Shqipërisë të shtriheshin në katër vilajetet. Për këtë vendim të nesërmen shkroi dhe shtypi. Atë botë ishte edhe në interes të Perandorisë Otomane që shqiptarët të fitonin autonominë. Të katër shtetet ballkanike, sipas propozimit të qeverisë greke, më 18 gusht u shprehën kategorikisht kundër autonomisë së Shqipërisë.
Në vijim, më 19 gusht Rusia me fuqitë e tjera kërkuan koncesione edhe për kombësitë e tjera. Ndërkohë, duke parë se ushtria osmane, e tillë siç ishte, e dërmuar nga luftërat etj, nuk do të organizonte ndonjë qëndresë serioze ndaj ushtrive sllavo-greke, barra u ra luftëtarëve shqiptarë, të cilët ende e kishin sunduesin shekullor mbi kokë, që të vepronin kundër armiqve, jo më pak të rrezikshëm e të pabesë, fqinjëve të tyre.
E megjithëse luftëtarët shqiptarë ishin jo shumë të organizuar e të armatosur, rezistenca më e madhe ushtrive të aleancës ballkanike iu bë në luftën e Shkodrës, të Janinës, të Merdares, të Kumanovës dhe të Lumës etj. Kur shqiptarët, ende nuk i kishin shijuar frytet e autonomisë dhe logjikisht nuk ishin institucionalisht të përgatitur që të rezistonin kundër ushtrive të katër shteteve, që gëzonin pavarësinë me dekada dhe që ishin përgatitur me vite për këtë luftë.
Lufta Ballkanike i prishi të gjitha planet tona, do të deklaronte Hasan Prishtina. Lufta Ballkanike nuk e lejoi zgjidhjen e çështjes shqiptare, si çështje më e vështirë në Ballkan e më gjerë.
Në këtë kah Lufta e Parë Ballkanike ishte de jure kundër Perandorisë Osmane, por de facto ishte luftë shfarosëse kundër kombit shqiptar.
Edhe pse më 3 dhjetor 1912 Perandoria Osmane u mund dhe kërkoi armëpushim, operacionet e ushtrive ballkanike vijonin më me egërsi ekspeditat ndëshkuese për shfarosjen e përgjithshme të kombit shqiptar. Kështu Greqia nuk pranoi armëpushim duke vazhduar rrethimin e Janinës dhe pushtimin e Gjirokastrës, Sarandës, Tepelenës, Korçës, Kolonjës deri në kufi me Beratin dhe Skraparin etj.
Gjitha veprimet luftarake të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë u zhvilluan në pjesën më të madhe në tokat shqiptare. Njeriu nuk mund ta marrë me mend se si rrokulliseshin ngjarjet historike të atyre muajve.
Shqiptarët, si gjithmonë u detyruan të veprojnë në defensivë që të shpëtonin diçka nga katrahura kombëtare që e kishte shkaktuar Lufta e Parë Ballkanike, e cila krijoi një dosje të tmerrshme krimesh të papara dhe, si rrjedhojë, prodhoi shumë fatkeqësi, që do të ndjeheshin gjatë në këto hapësira.