Certifikohen 200 të rinj për ndërmarrësi
Trajnimi ka pasur për qëllim edukimin e të rinjve për ndërmarrësi, në mënyrë që ata të jenë të informuar dhe të përgatitur për të nisur biznese të reja, e po ashtu edhe të kenë aftësinë se si t’i menaxhojnë ato.
Ministri Kujtim Gashi i uroi të rinjtë për trajnim dhe vlerësoi se ky certifikim shënon edhe një hap të rëndësishëm në edukimin profesional të të rinjve dhe përmendi se MKRS-ja në bashkëpunim partnerët e saj, ka mbështetur trajnimin e të këtyre të rinjve.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë progresive ka rritur përkrahjen për rininë, e në veçanti në këto dy vitet e fundit. Dhe mbështetja do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen. Do të kemi edhe iniciativa tjera për ta krijuar Fondin Rinor nga buxheti i ministrisë, përmes të cilit do të përkrahim idetë dhe projektet inovative të shumë të rinjve dhe organizatave rinore”, tha ministri Gashi.
Ministri po ashtu përmendi investimet dhe përkrahjen e të rinjve përmes granteve që janë ndarë për rininë, për qendrat rinore në qytete të ndryshme në Kosovë, ku theksoi investimin në infrastrukturë për rini për vitin 2018, ku do të ndërtohen dhe finalizohen edhe pesë Qendra të Rinisë, në qytetet e Pejës, Ferizajt, Klinës, Vushtrrisë dhe Shtimes.
Gjithashtu, Gashi u shpreh se ministria po punon në vijimësi që të hartojë akte normative e strategjike në harmoni me standardet e BE-së për fushën e rinisë që ky fokus grup i shoqërisë tonë të jetë në hap me të rinjtë e Evropës.
Të rinjtë e vlerësuan tepër të rëndësishëm këtë certifikimi sepse e konsideruan si një përgatitje më të madhe për të ardhmen.