Catherine Russell nxjerr në treg albumin e saj Strictly Romancin"
San Francisko, 30 janar - Kur këngëtarja Catherine Russell pëlqen shumë një këngë, ka shumë mundësi që ajo ta këndojë dhe regjistrojë atë. Në albumin e saj të ri Strictly Romancin ajo përcjell emocione të thella, intonim perfekt dhe ritëm që të bën për vete.
Russell është një nga interpretueset më të mira të këngëve të epokës së artë të muzikës swing. Atë e ka tërhequr gjithmonë muzika swing, sidomos ajo e viteve 30 dhe 40 dhe këngët e mbushura me romantizëm.
Unë e dashuroj atë periudhë sepse më sjell në mendje njerëzit duke kërcyer dhe bandat e mëdha muzikore që bënin që njerëzit të mblidheshin në pistë. Nuk e di pse, por ai është një imazh shumë romantik për mua.
Unë thjesht zgjedh këngë tingulli i të cilave më pëlqen kur i dëgjoj. Dhe më pëlqen teksti, më pëlqen historia, më pëlqen këngëtari apo orkestrimi apo çfarëdo qoftë. Por më pas vura re se edhe në këtë album unë nuk kam asgjë prej pas viteve 40.
Më pëlqen shumë ritmi. Kjo është ajo që motivon stilin tim, i cili është më tepër ritmik sesa i rrjedhshëm. Mua më pëlqen interpretimi ritmik por edhe këndimi me ëmbëlsi dhe butësi, si dhe blues.
Catherine Russell u rrit me të gjitha llojet e muzikës. Mamaja e saj Carline Ray ishte një kitarste bas e njohur e muzikës jazz, ndërsa babai i saj Luis Russell dikur ka qenë drejtor muzikor i Louis Armstrong. Qysh në fund të viteve 1980, Catherine ka punuar si zë i dytë me yje të muzikës pop dhe rock.
Disa nga këngët kryesore të albumit të saj të ri Strictly Romancin përfshijnë Satchel Mouth Baby në nder të Armstrong, këngën Hes All I Need, të Rosetta Tharpe-t dhe një nga më të preferuarat e swingut Everybody Loves My Baby. Catherine thotë se ishte momenti i duhur për përpunimin e Im In The Mood For Love.
Është një këngë e bukur, me një tekst të bukur dhe me melodi të bukur, dhe unë mbështetem tek këto elementë. Janë ato që krijojnë muzikë të mirë. Natyrisht, unë e kisha dëgjuar këtë këngë gjatë gjithë jetës sime, por për çfarëdo arsyesh, pikërisht ky mu duk momenti i përshatshëm për ta interpretuar. Unë mendoj se romantizmi i stilit të vjetër është i rëndësishëm.
Catherine Russell është përfshirë në përmbledhjen muzikore Boardwalk Empire: Volume One, që përmban melodi prej serisë televizive Boardwalk Empire. Përmbledhja është kandidate për fitimin e çmimit Grammy për kolonën zanore më të mirë në Mediat Vizive. Në maj Catherine Russell do të zhvillojë koncerte në Svizër, Gjermani, Hollandë dhe Luksemburg.