Bullock nuk largohet nga Hollywoodi
Hollywood, 9 maj - Përfaqësuesi i Sandra Bullock ka mohuar spekulimet se aktorja synon të largohet nga Hollywoodi.
Më herët u tha se Bullock 'mund të mos bëjë ndonjë film tjetër' pas zbulimeve se burri i saj Jesse James e kishte tradhtuar atë.
Megjithatë zëdhënësi i aktores ka thënë për "People" se kjo nuk është e vërtetë.
"Për të ruajtur privatësinë e Sandra Bullock ne nuk do të komentojmë se ku planifikon ajo të jetojë. Edhe pse nuk ka plane për momentin, ajo synon t'i rikthehet punës", ka thënë zëdhënësi i aktores.
Bullock, e cila së fundi adoptoi një djalë me emrin Louis Bardo, aktualisht është duke u marrë me divorcin nga James.