Britney Spears nuk mund të martohet
Los Angelos, 25 maj - Britney Spears duket shumë e dashuruar pas partnerit të saj Jason Travick, me të cilin ka disa vite e lidhur.
Bëhet fjalë për një lidhje që sipas artistes mund të përfundojë në një martesë, por sot për sot kjo gjë është e pamundur.
Edhe pse Britney Spears e sheh veten si një vajzë normale, një gjykatë në Kaliforni ka deklaruar se ylli i pop-it është mendërisht e paaftë për të marrë disa vendime të caktuara dhe në këto vendime hyn edhe martesa.
Që nga një krizë që kaloi në vitin 2008, Britney Spears është nën kujdestarinë e babait të saj, James Spears. Është pikërisht i ati që merr vendimet e saj ekonomike dhe personale.
Ligji kalifornian shpjegon se një person i shpallur mendërisht i paaftë nuk mund të marrë vendime juridike dhe si rrjedhim nuk mund nënshkruajë një kontratë martesore.
Jo vetëm drejtësia, por edhe avokati i Spears, David E. Wohl, është shprehur: Britney është si një fëmijë.