22 Dhjetor 2024

Botohet libri 'Ditari i pandemisë' i Agim Vincës

Prishtinë, 13 korrik - Doli nga shtypi, në botim të shtëpisë botuese “Artini” nga Prishtina, libri më i ri i Profesor Agim Vincës: “Ditari i Pandemisë. Rrëfime nga karantina”.

Libri ka rreth 300 faqe. Në parathënien me titull “Dy fjalë lexuesit”, vetë autori, ndër të tjera, shkruan:

«As në ëndërr nuk më kishte shkuar ndër mend se do të vinte dita të shkruaja një libër si ky. Kisha plane të tjera, të shumta, prej të cilave nuk kam hequr dorë, por ato mbetet të presin një kohë tjetër, më të mirë. Sepse, nuk i ngjan puna punës, thonë në vendlindjen time. Ka punë që presin dhe ka të tjera që ose bëhen sot, në këtë moment, ose nuk bëhen fare.

Më 14 mars, një ditë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, vendosa të mbaja ditar, gjë që e kam bërë, herë pas here, edhe më parë.

Thashë me vete: të lë një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë pandeminë Covid-19.

Të lija një dëshmi dhe të shlyeja një borxh ndaj atyre që i vunë gjoksin kësaj sëmundjeje, duke rrezikuar veten, mjekëve në radhë të parë, por edhe infermierëve, laborantëve, ekspertëve të mikrobiologjisë, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, në radhë të parë atyre shëndetësore, por edhe policëve që ditë e natë ishin në krye të detyrës, duke u kujdesur për rendin.

Për pandeminë do të shkruhen libra në të ardhmen (ndoshta tashmë janë shkruar ose po shkruhen). Do të shkruhen libra e do të bëhen shfaqje e filma. Dokumentarë e artistikë. Secili që e ka përjetuar mbylljen dhe izolimin e, larg qoftë, edhe sëmundjen, ka rrëfimin e vet për të.

Ky është rrëfimi im, ashtu siç e kam parë e përjetuar unë këtë situatë: situatën nëpër të cilën kaluam në muajt mars, prill, maj të këtij viti.

Këto janë shënime të mbajtura rregullisht gjatë ditëve të pandemisë, ndërsa qëndroja i mbyllur në shtëpi, në banesën time në Prishtinë. E fillova si diçka të vogël, por ditë pas dite e javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë.

Janë gjithsej 80 ditë: nga data 14 mars, që do të thotë një ditë pas zbulimit të rastit të parë me koronavirus në Kosovë, deri më 1 qershor, kur filloi faza e tretë dhe, le të shpresojmë, edhe e fundit e masave kufizuese dhe, deri diku, edhe normalizimi i jetës, së paku në krahasim me periudhën e mëparshme.

Dhe, ja, një rastësi e bukur: Një Qershori është Dita e Fëmijëve, e atyre që janë fëmijë sot dhe e atyre që do të vijnë paskëtaj në këtë botë dhe që këtë ditar do ta lexojnë një ditë mbase si një përrallë, të bukur, por edhe të frikshme njëkohësisht.

Jam përpjekur të vë ekuilibër mes aspektit intim, personal e familjar, që është karakteristikë e ditarit si formë e shkrimit dhe atij publik, shoqëror e kombëtar, gjë që e rrit, besoj, peshën dhe rëndësinë e këtij rrëfimi.

Kamyja thotë te Murtaja se njerëzit e mbyllur në karantinë, më shumë se në të tashmen (dhe të ardhmen), jetojnë në të kaluarën. Kështu ka ndodhur edhe me mua që në këto shënime kam evokuar shumë kujtime dhe ngjarje nga e kaluara. Ato edhe janë ndoshta pjesët më të bukura të këtij libri.

Ky ditar i paraqitet lexuesit për herë të parë në tërësinë e vet. Nuk kam dashur ta botoj pjesë-pjesë, edhe pse kisha ngasje (dhe sugjerime) që ta bëja këtë për hir të aktualitetit. Me përjashtim të një fragmenti të botuar te portali ObserverKult (Shkrimtari në kafaz), asnjë germë tjetër e tij nuk ka parë dritën e botimit, prandaj, duke huazuar një term nga fusha e teatrit dhe filmit, kam kënaqësinë t’ju ftoj në p-r-e-m-i-e-r-ë!».

Agim Vinca

Ndërsa recensenti i librit, shkrimtari dhe publicisti Rushit Ramabaja, shkruan:

«Gjithkahnaja e librit më të ri të Agim Vincës DITARI I PANDEMISË, Rrëfime nga karantina mbërthen në vete 80 ditë zymtore të kësaj pranvere të sëmurë. Këtë libër (që, ndonëse i shkruar në formë ditari, ma merr mendja se më së miri mund të lexohet si prozë dokumentare) e bën të jashtëzakonshëm, jo ngjarjet e përditshme të një kohe morti me të vdekur e vaje, por ngjallja e zombive provincialë pikërisht në kohë të dergjës botërore, për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe për të hëngër lirinë tonë."

"Ky është zëri i intelektualit dhe poetit, që del nga brendësia. Këta atdhengrënës, shkelën idealin dhe lirinë duke përdhosur ligjet mijëvjeçare që kishin rregulluar raportet e etnisë në kohë morti e fatkeqësie. Ky akt i lig është vënë në qendër të magjisë së rrëfimit, në dukje ndonëse duket i pasforcuar, i privuar nga hidhërimi."

"Por, përbrenda vlon drama e mllefi kolektiv. Kështu e pasforcuar, vëngjilla e kësaj pranvere ka dalë aq e natyrshme, aq spontane dhe aq e  lexueshme. Në vetë aktin e shkrimit të këtij ditari në kohë të fatkeqësisë kolektive, mund të lexojmë shpirtin human të Profesorit tonë dhe mesazhin për metaforën e paplakur të lirisë».

Rushit Ramabaja  

Fragmente nga ditari

VEZËT E PESHKOPIT JANULLATOS

E diel, 19 prill 2020

Sot është festa e Pashkëve Ortodokse. Jezui u kryqëzua të premten dhe u ringjall të dielën. Dy mijë e njëzet vjet më parë! Për nder të ringjalljes së Krishtit vëllezërit tanë “kaurë” ziejnë vezë dhe i skuqin me bojë të kuqe. Nëna ime e ndjerë për Ditëvere i skuqte me lëvoren e qepëve. Traditën e vazhdon edhe ime shoqe, zonja Flutur, duke zier vezë me lëvore qepe çdo 14 mars, jo vetëm për anëtarët e familjes, por edhe për koleget e kolegët e saj të Bibliotekës, sa ishte ende në punë.

Kur ishim fëmijë, thyerja e vezëve për Ditëvere ishte një nga kënaqësitë tona të mëdha: lojë dhe garë njëkohësisht. Bëhej luftë e madhe kush ta zinte vendin e parë në mëhallë. Disa hileqarë, ku hynte edhe im vëlla, Sela, bënin hile: lyenin me bojë të kuqe ndonjë gur të rrumbullakët e të lëmueshëm përroi në formë veze apo ndonjë copë dru të gdhendur me thikë një kohë të gjatë (një javë të tërë me thikë në dorë!).

Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH) të themeluar nga Noli, Fortlumturia e tij Janullatos, ua uron shqiptarëve festën. Shqip, por me një shqipe, që edhe nga maja e Tomorit shihet se nuk e ka gjuhë amtare.

Televizioni Shqiptar dhe televizionet e tjera të Tiranës e japin me fjalë e figurë mesazhin e tij. Flet qetë, ngadalë, por me ton autoritar, duke tundur lehtë kryqin në qafë dhe mjekrën e bardhë si ujëvarë. Të themi, a propos, se këtë figurë, krahasimin e mjekrës me ujëvarën, e pati përdorur dikur për Marksin shkrimtari ynë i madh I. K., i cili sot e shan atë. (“Ai mjekërbardhi e ka fajin. Ai, Karl Marksi, ishte shkaktari i gjithë asaj marrëzie”).

A thua sa vjet nuk e ka prekur mjekrën dinjitari i lartë kishtar, Anastas Janullatos? Për të thonë se nuk është vetëm klerik e teolog, por edhe shkencëtar dhe filozof. Fundja, ç’faj ka ai! Atë e solli në Shqipëri politika shqiptare, politikanët “demokratë”, Sali Berisha me shokë, tmerrësisht servilë ndaj Greqisë në çdo pikëpamje. (Ramiz Alia, edhe pse formalisht president, s’kishte gjë në dorë).

Atëherë thuhej se Janullatosi do të qëndronte përkohësisht në Shqipëri, derisa të krijoheshin kuadrot vendore, por u bënë tridhjetë vjet dhe fortlumturia e tij vazhdon të çelë vezë në furrikun e tij, në Kishën Ortodokse Shqiptare (nuk e di a mund të quhet më “Autoqefale”), në rrugën e Kavajës. Nga viti 2017, me vendim të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ai është edhe zyrtarisht “shtetas shqiptar”, duke e plotësuar kështu edhe kushtin formal për të qenë në krye të KOASH-it.

Ku mbeti prifti patriot nga Elbasani, Atë Nikollë Marku, dishepull i imzot Nolit dhe kundërshtar i Janullatosit? S’po i dëgjohet zëri. Nuk i ndihmuan zotat në tokë, por as Zoti në qiell. U sëmur nga parkinsoni dhe s’po e përmend më kush me gojë. Madje as në ditë festash si kjo e sotmja.

Gëzuar Pashkët, vëllezër e motra besimtarë ortodoksë në Shqipëri e Maqedoni (stërnipër të Josif Bagerit), por edhe ju bashkëqytetarë tanë serbë (e malazez) në “Kosovë e Metohi”!

Lëvizja Vetëvendosje! doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK-ja. Këto dy parti bënë koalicion, të cilin e pagëzuan “Koalicioni i Shpresës”.

Një zyrtar i VV-së nga Tirana tha të shtunën se do të ketë protesta të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë nëse Albin Kurti  i shkarkuar me 2/3 e votave të deputetëve, largohet edhe nga ulësja e Kryeministrit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa: “Sa u përket protestave të paralajmëruara, LDK s’mërzitet fare për atë punë. Bile aq më pak kur për protesta trumbetohet nga mercenarë politikë, në emër të internacionales shqiptare. Të tillët s’guxojnë të protestojnë në vendet e tyre, kurse Kosovën e konsiderojnë poligon të padhimbshëm”.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, shpreson se pas 4 majit do të mund të rikthehemi me faza në normalitet.

Blerim Shala, këshilltar politik i Presidentit Thaçi: “Krijimi i Qeverisë së re të Kosovës është  pashmangshmëri politike dhe e drejtë kushtetuese në rrethanat aktuale në vend. Çdo  variant  tjetër është abuzim me pushtetin”.

Besnik Pula, mësimdhënës në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin Virginia Tech në SHBA, e kundërshton kategorikisht Shalën. “Nëse ky lexim, tashmë i ri, lejohet dhe eventualisht konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, atëherë jo vetëm që kemi dy lexime kontradiktore të Kushtetutës, si në tekst, ashtu edhe në frymë, por edhe krijimin e një precedenti tepër të rrezikshëm. Me këtë praktikë të re, sipas Pulës, fuqia kryesore politike në Kosovë nuk është më partia e parë, por edhe partia e dytë, atëherë kur partia e parë nuk e ka shumicën absolute”.

Enver Robelli: “VV-ja mund të bëjë gabime në qeverisje, por nuk është si partitë që e kanë shndërruar Kosovën në një vatër të vjedhjes së parasë publike. Institucioni më i lartë është ai i votës. Këto veprime ka gjasa ta fundosin LDK-në edhe më thellë në batakun e historisë”.

Reagon Muhamet Hamiti: i quan fletërrufe kolumnet e Robellit!

 

PO TË ISHTE GJALLË DRITËROI?

E premte, 8 maj 2020

Elona Agolli, e bija e Dritëro Agollit, që është trashëgimtare shpirtërore e tij, më njofton për daljen nga shtypi të librit me kujtime për Dritëroin. Mbi njëqind krijues evokojnë kujtime për poetin e madh Dritëro Agolli, që u nda nga jeta tre vjet më parë (3 shkurt 2017).

“Ky është Dritëroi im” titullohet libri, që do të thotë: Dritëroi siç e kanë parë të tjerët, siç e kemi parë ne miqtë dhe kolegët e tij krijues, poetë, studiues e të tjerë, por edhe njerëz të politikës, me të cilët po ashtu kishte të bënte Dritëroi, që ishte jo vetëm njeri me ndikim në Partinë Socialiste, por edhe deputet shumëvjeçar në Kuvendin e Shqipërisë.

“Duke dashur të shpreh mirënjohjen time të madhe për ju, do të dëshiroja që një kopje të librit t’jua dërgoja me postë ose në një mënyrë tjetër të përshtatshme për këtë kohë fare të papërshtatshme e të panjohur më parë nga ne”, shkruan Elona dhe me shumë kujdes e takt ofron tri mundësi: “me postë, dorazi ose në librari”.

Unë zgjedh të tretën, më të lehtën. “Kam edhe unë një vajzë në Tiranë” – i them. – “Do të vijë ime bijë ta marrë në librari” dhe, për çdo rast, ia jap numrin e Doruntinës.

E përgëzoj për librat (edhe për atë me tregime të së ëmës, Sadijes) dhe i them, jo për t’i bërë qejfin, por pse vërtet është ashtu, që gjatë kësaj kohe e kam kujtuar shpesh Dritëroin, të cilin kisha nderin ta kisha mik. I bëj vetes (dhe Elonës) tri pyetje radhazi: “Si do të sillej Dritëroi në këtë situatë të çuditshme? Ç’shaka do të bënte? Ç’vargje do të shkruante?”. Ajo e vazhdon aty ku e lë unë. “Do të qeshte me veten e tij dhe me të tjerët?” dhe shton: “Kur bisedonim pasditeve për thagmat shqiptare dhe i parafytyronim si subjekte letrare shpesh me dëshpërim psherëtinte: Eh të isha edhe njëherë i ri!”.

Elonën e kam njohur vonë, pas vdekjes së Dritëroit; sa ishte gjallë Sadija. Më ka pritur me shumë përzemërsi në zyrat e saj në Tiranë, afër Ambasadës së Kosovës, në njërën nga të cilat ruan relikte nga babai (makinën e shkrimit, stilografin, syzet, llupën me të cilën lexonte në vitet e fundit…). Ç’kujdes që tregon kjo vajzë (grua) për ta mbajtur gjallë kujtimin e babait të saj, figurën dhe veprën e tij! Është diçka e rrallë, e paparë, për dikënd mbase edhe e tepruar.

Elona ka aftësi ndërmarrësie, por edhe kulturë e dije. Ka bërë botime shumë të bukura të veprave të Dritëroit: poezi, prozë, aforizma, letrat që kanë shkëmbyer me Sadijen si të fejuar, librin e fundit me poezi Prit edhe pak… Edhe botimin e plotë të shokut Zylo, me atë kapitullin e munguar të vizitës në Algjeri. M’i dha të gjithë gjatë asaj vizite, duke më dhënë me vete edhe një punëtor të saj që të më përcillte deri afër shtëpisë (banesës së Doruntinës) me qeset me libra.

Përkushtimi ndaj babait, sikurse edhe respekti ndaj miqve të tij, është, natyrisht, tregues i traditës dhe kulturës.

E kam parë këtë përkushtim edhe te fëmijët e shumë shkrimtarëve të tjerë në Tiranë.

Të bijat e Lasgushit, sidomos e dyta, Maria, kujdesen me fanatizëm për trashëgimin e babait të tyre, poetit Lasgush Poradeci. E bija e Kutelit, Atalanta, në çdo panair libri ka një stendë të veçantë me librat e babait të saj, Mitrushit, që nga botimet e para të viteve ’40 e gjer te ribotimet e bëra nga ajo vetë sipas dorëshkrimeve të lëna në sirtar. Njësoj edhe e bija e Vedat Kokonës, Mirvjen Kokona, pa harruar të bijat e dy albanologëve të shquar, profesor Çabejt dhe profesor Jup Kastratit, Brikenën dhe Dianën, që janë edhe vetë krijuese e intelektuale.

Për çudi të gjitha vajza, zonja, gra! Jo, ka edhe një përjashtim. Ilinden Spasse. Tepër i përkushtuar ndaj të atit, shkrimtarit Sterjo Spasse, qysh për të gjallë, ai vazhdon të jetë i tillë edhe pas vdekjes së tij. Libri Im atë, Sterjo! është dëshmia më e mirë për këtë.

Përkushtimi ndaj etërve krijues në Shqipëri është dukuri, në Kosovë jo. Në Shqipërinë këtej Drinit, siç e kishte zakon të thoshte Dritëroi, nuk vërehet as përafërsisht ky përkushtim te pasardhësit, edhe pse kanë ikur jo pak krijues të mëdhenj, që kanë jetuar në Prishtinë, ndonjë edhe në Gjakovë e gjetkë.

Me a pa virus thagmat shqiptare nuk kanë fund, por edhe bota vazhdon të sillet si “zuskë”.

Në vitin 1997, kur Shqipëria si shtet u godit nga virusi i marrëzisë së vet, Dritëroi shkroi:

“Mbrëmjes mendjen duke vrarë/ Miku im më thotë:/ “S’e marr vesh kush është i marrë/ Ne, a zuska botë?/ Tanket futëm në qilarë,/ Mitralozat në odë…/ S’e marr vesh kush është i marrë/ Ne, a zuska botë?…”.

Vargjet e mësipërme janë shkruar në mars të vitit 1997.

Tre vjet pas ikjes së Dritëroit nga kjo botë, po në mars (muaj ters!), ne u mbyllëm në oda e qilarë, jo nga plumbat dhe armët, si në ’97-n, por nga një armik i padukshëm, nga ky virus i lig e tinëzar, “çë u mpiks ndë Kinë e u shprish ndë tërë dheun”, si tha poeti arbëresh dhe që ekspertët e quajtën: “Covid-19”.

Ime bijë, Doruntina, ma nis me celular kopertinën e librit dhe një pjesë të përmbajtjes. Libri ka mbi një mijë faqe, kurse numri i njerëzve që kanë evokuar kujtime për Dritëroin është shumë i madh: gjithsej 120, përfshirë edhe Sadijen e ndjerë. Unë jam i teti me radhë, pas Frrok Çupit, Thanas Jorgjit, Alfred Pezës, Besnik Mustafajt, Preç Zogajt, Pëllumb Kullës dhe Bardhyl Londos. Pas meje vijnë Ali Aliu me shokë (renditja nuk është alfabetike)…

Mezi pres të kalojë pandemia (nëse do të kalojë shpejt kjo mynxyrë?), të hapen kufijtë (ah, kufijtë!) dhe të shkoj në Tiranë për t’u çmallur me miqtë e mi shkrimtarë e të tjerë dhe për t’u bërë pjesë e një pasditeje të bukur, që do të kishte si shkas librin me kujtime për poetin dhe mikun tonë të madh e të paharruar Dritëro Agolli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)