Bogujevci: Zhvillimi i "Dodonës" prioritet i Drejtorisë së Kulturës
Prishtinë, 8 qershor- Në një konferencë për media, drejtoresha e Drejtotrisë së Kulturës, Rinisë dhe Kulturës, Saranda Bogujevci ka prezantuar anëtarët e Këshillit Drejtues të teatrit të qytetit të Prishtinës Dodona, Jeton Budima kryesues, Doruntina Basha anëtare, Rebeka Qena anëtare, Bekim Sele anëtar, Artan Geca anëtar.
Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i këtij teatri, Agron Shala.
Si drejtori jemi në dijeni për gjendjen ekzistuese të teatrit të qytetit Dodona, andaj do të bashkëpunojë ngushtë me këshillin e ri drejtues të këtij teatri, por edhe me drejtorin Agron Shala që të angazhohemi që të bëjmë zgjidhjet më të mira të mundshme qoftë sa i përket financimit, por edhe sa i përket repertuarit të këtij teatri.
Aktualisht, mënyra e vetme e financimit është përmes subvencioneve, mirëpo kjo nuk do të jetë mënyra e vetme pasi që bashkërisht do të angazhohemi që të shqyrtojmë mundësitë edhe për forma të tjera të financimit të teatrit Dodona, tha drejtoresha Bogujevci, e cila shtoi se çdo gjë që është e nevojshme për zhvillimin e këtij teatri, do ta ketë përkrahjen e saj.
Drejtori i teatrit Dodona, Agron Shala, tha se ky teatër pos që ka nevojë për një buxhet të caktuar, po ashtu ka nevojë edhe për staf më të madh të punëtorëve, sidomos të aktorëve dhe se këto janë nevoja që tash e sa vite paraqiten si domosdoshmëri për funksionimin e mirëfilltë në teatrit Dodona. Shala, gjithashtu, tha se shpreson se në realizimin e këtyre kërkesave nuk do të mungojë as përkrahja e Këshillit të ri Drejtues.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të teatrit Dodona, Jeton Budima tha se planifikohet që nga këshilli të ndërtohet një strategji më afatgjate, mirëpo edhe kompletimi i teatrit Dodona me të gjithë stafin e nevojshëm.
Ai tha se ka indikacione se buxheti i vitit 2016 do të jetë më i favorshëm për teatrin Dodona dhe se është e rëndësishme që të krijohet një vizion i ri, respektivisht krijimi i një teatri modern që do të jetë në hap me kërkesat e publikut.