Bogujevci premton pasurimin e bibliotekave të shkollave të Prishtinës
Prishtinë, 23 prill - Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit , Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizoi Takim poetik me poet dhe nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës.
Me këtë rast, drejtoresha e Drejtorisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme dhe se i vjen mirë që është i madh numri i të rinjve që marrin pjesë në aktivitete të tilla kulturore.
Leximi është shumë i rëndësishëm për formimin e një individi, ndërsa ne si Drejtori e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të angazhohemi që bashkërisht me të gjithë të interesuarit të organizojmë sa më shumë aktivitete të tilla me qëllim që të nxisim sa më shumë interesimin e qytetarëve për librin, tha Bogujevci. Ajo tha se është e interesuar që të dëgjojë të gjitha ato kërkesa që kanë të rinjtë dhe të cilat janë në funksion të afirmimit të leximit të librit.
Ndërsa, nxënësit e pranishëm kërkuan që të shqyrtohet mundësia që të pasurohen bibliotekat nëpër shkolla pasi që siç thanë, ka një mungesë të konsiderueshme të librave.
Drejtoresha Saranda Bogujevci i siguroi ata se do të angazhohet për këtë kërkesë, ndërsa i ftoi ata që të interesohen për projekte kulturës dhe rinisë që do të subvencionohen nga kjo drejtori.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtori i bibliotekës Hivzi Sylejmani, Munish Hyseni, Veli Veliu, poet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Shefqete Galsaci, poete, nga Karvani i Shkrimtarëve për fëmijë Agim Deva, profesorë, nxënës të shkollave, etj..