BKSH-ja e BKK-ja organizojnë Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë
Prishtinë, 2 dhjetor - Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës Pjetër Bogdani, më datë 4-5 dhjetor, organizojnë Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë, edicionin e nëntë, me temë Aftësimi në informacion përmes teknologjive të reja dhe komunikimit.
Dita e parë e kësaj konference do të mbahet në BKSH, të cilën do ta hapin drejtoresha e BKSH-së, Persida Asllani dhe drejtori i BKK Pjetër Bogdani, Bedri Zyberaj, kurse fjalë përshëndetëse do të ketë ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Në ditën e parë të kësaj konference kumtesa do të lexojnë: profesor Shaban Buza (Ndikimi i informacionit në krijimin e profilit të kërkuesit), Etleva Domi (Arena e dijes - Teknologjia - Aftësimi në informacion), Aida Braho, (Aftësimi në informacion: bibliotekat dhe bibliotekarët si aktorë kryesorë në ekologjinë e konfiguruar nga TIK), Liridon Zekaj (Biblioteka në kohën share), Enilda Kola e Brunilda Tahiri (Webografia tashmë realitet edhe për bibliotekat shqiptare), Ramazan Vozga (Kërkimi bibliografik dhe mjetet e kërkimit të informacionit në epokën digjitale), Ramush Zeka (Një shoqëri e informacioni për të gjithë), Majlinda Toçi (Bibliotekari i referencës në epokën digjitale), Nexhmije Kastrati (Teknologjia në shërbim të informacionit. Bibliotekat dhe komuniteti), Flamur Maloku ( Biblioteka, civilizimi, kultura dhe informacioni).
Ndërkaq, në ditën e dytë të konferencës, e cila do të mbahet në bibliotekën publike Qemal Baholli në Elbasan, kumtesa do të lexojnë: Drita Cankja do ta paraqesë funksionimin e bibliotekës publike Qemal Baholli në Elbasan, Miranda Bakiasi e Erion Sulaj të Bibliotekës së Universitetit të Arteve në Tiranë, Alketa Tiku të Këndit Amerikan të BKSh-së në Tiranë, Venera Alliaj të Bibliotekës së Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës, kurse Genc Haxhiu të Këndit Amerikan në BKK në Prishtinë.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës Pjetër Bogdani, me rastin e hapjes së kësaj konference të edicionit të nëntë, ka botuar edhe tekstin e Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë të edicionit të tetë, në të cilën janë përfshirë ligjërata nga fusha e bibliotekarisë, veçanërisht nga koleksionet kombëtare e kujtesa kombëtare.