Bislim Muçaj, laureohet me çmimin Bekim Fehmiu
Prishtinë, 10 qershor - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot në një ceremoni solemne ka bërë ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore Bekim Fehmiu dhe çmimit vjetor në fushën e kinematografisë. Aktori Bislim Muçaj është laureuar me çmimin Bekim Fehmiu, ndërsa çmimin vjetor në emër të laureatit, producentit Eshref Durmishi e ka pranuar aktori Besnik Krapi.
Juria, në përbërje të aktores Igballe Qena, aktorit Xhevat Qorraj, regjisorit Isa Qosja, kameramanit Menduh Nushi dhe dramaturgut Jahi Jahiu, kanë vlerësuar se prezantimi i Kosovës në arenën e kinematografisë botërore ka qenë historik dhe i suksesshëm. Kontributin për këto suksese e kanë dhënë edhe prezenca në projektet e shumta dhe ekranet magjike të aktorit Bislim Muçaj, duke ia kushtuar një jetë të tërë skenës, por dhe e kontributit të producentit të filmit Shok, Eshref Durmishit.
Çmimet u shoqëruan me certifikata të nënshkruara nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me statuetën e artë, përkatësisht të argjendtë dhe me një shpërblim në vlerë 5 mijë euro për çmimin Bekim Fehmiu dhe shpërblimin financiar prej 2,500 eurove për çmimin vjetor.
Aktori Bislim Muçaj u shpreh se ndjehet i emocionuar dhe krenar që mori çmimin, i cili mban emrin e aktorit të madh të kinematografisë botërore, Bekim Fehmiu.
E falenderoj ministrin e kulturës, Kujtim Shala për respektin dhe vlerësimin që po ju bënë artistëve. Jam shumë krenar dhe shumë i emocionuar që ky çmim mbanë emrin e bartësit të kinematografisë botërore Bekim Fehmiut tha aktori Muçaj.