Berisha: Ai Këshill Drejtues nuk është për Teatër Kombëtar
Prishtinë, 16 mars - Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, ka deklaruar se nuk ka mëri në Elmaze Nurën që është zgjedhur drejtoreshë e Teatrit Kombëtar.
Ajo në një Intervistë për gazetën Epoka e re, ka deklaruar se me dëshirë ia ka dorëzuar e uruar detyrën dhe i ka shprehur suksese në punë. Ka dalë edhe në fotografi me të atë ditë të dorëzimit të detyrës.
I ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe të tre ministrat, me të cilat i ra fati ose fatkeqësia të punojë. Por, konsideron se i është bërë e padrejtë që nuk është zgjedhur edhe një herë drejtoreshë e Teatrit Kombëtar.
E për këtë padrejtësi fajin ia ka hedhur Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, i cili, sipas saj, nuk meriton ta drejtojë Teatrin Kombëtar. Megjithatë, edhe pse sështë më drejtoreshë, zanatin e vjetër e primar të vetin nuk do ta lë: regjinë.
Ndërkaq, nëse i vjen rasti edhe një herë ta drejtojë Teatrin Kombëtar, ndonjë teatër tjetër ose ndonjë institucion kulturor, kur është në pyetje identiteti i saj kombëtar thotë se nuk e pyes askënd, sikurse i ka rënë rasti të provohet e të provokohet me shfaqjen Çifti Martin, së cilës nuk ia pati dhënë lejen të fluturojë për në Beograd.