Beogradi i mirëpret artistët nga Kosova për herën e dytë
Në këtë pikëtakim të artistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, do të shfaqet filmi i regjisorit të njohur kosovar Isa Qosja, Tri dritare dhe një Varje, film ky i cili është shpërblyer me çmime në Festivalin e Filmit të Sarajevës si dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
Përveç, filmit të fundit të regjisorit të mirënjohur, Kosova para publikut të Beogradit do të prezantojë edhe muzikantë, aktorë, regjisorë të filmit dhe teatrit, si dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe analistë, të cilët do të diskutojnë për çëshjte të rëndësishme shoqërore dhe politike.
Sa i përket pjesës kulturore të festivalit, të gjithë adhuruesit e librit do të kenë rastin unik që të jenë të pranishëm në promovimin e librit të Veton Surroit Miliarderi, i botuar në gjuhën serbe nga shtëpia botuese Samizdat B92.
Ndërsa adhuruesit e Teatrit do të kenë rastin ta shijojnë shfaqjen \"Shopping and Fucking\" me regji të Fatos Berishës, derisa adhuruesit e muzikës do të mund të marrin pjesë në koncertin e Edona Reshitaj, e cila do të performojë drejtpërdrejt bashkë me bendin e saj.
Në kuadër të programit do të shfaqet ekspozita Une JAM, e kuruar nga gjashtë artiste të mirënjohura kosovare (Burbuqe Berisha, Zake Prelvukaj, Eliza Hoxha, Blerta Surroi, Arlinda Hajrullahu dhe Mjellma Goranci Firzi), pastaj shfaqja për fëmijë Cirku i lodrave me regji të Melihate Qenës, si dhe disa filma të shkurtër dhe dokumentar si (Kolona nga Ujkan Hysaj, Heshtja nga Bekim Guri, Me Mujt Me Bo e Kishim Bo nga Genc Berisha, dhe Brenda ka dritë nga Rea Surroi dhe Dardan Selimaj) si dhe shumë evente të tjera kulturore, duke përfshirë edhe ahengjet me nikoqirët nga radio kosovare Urban FM.
Përveç pjesës artistike të festivalit, vizitorët do të kenë rasin të jenë pjesë e debateve mbi çështjet aktuale shoqërore dhe politike që kanë për qëllim nxitjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që përfundimisht do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve reciproke (Dekonstruktimi i të kaluarës së përbashkët: Personat e Pagjetur dhe normalizimi, Rindërtimi i së ardhmes: Edukimi Shoqëror, Bashkëpunimi Kulturor dhe Paraqitja në Media Kosovë Serbi.).
Festivali do të vazhdojë në Prishtinë, ku do të mbahet Java e Filmit të Bekim Fehmiut , dhe gjithashtu do të bëhet edhe promovimi i librit të Bekim Fehmiut Briliante dhe e Tmerrshme i cili do të përkthehet në gjuhën shqipe për t`ju prezentuar publikut kosovar. Puna dhe arritjet e Bekim Fehmiut, simbol i një hapësire dikur të unifikuar kulturore e cila më parë ishte e mbushur me probleme, tashmë është frymëzimi jonë kryesor për organizimin e këtij festivali.
Ashtu si vitin e kaluar, hyrja për të gjitha ngjarjet e festivalit do të jetë falas. Ndërsa biletat për të gjitha eventet individuale mund të rezervohen përmes e-mailit në adresën [email protected], ndërsa për më shumë informata rreth programit të festivalit së shpejti do të mund të informoheni në webfaqen e Festivalit www.mireditadobardan.com.