Bashkësia Islame e Kosovës pezullon faljen në xhamia
Prishtinë, 14 mars - Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka njoftuar se është pezulluar përkohësisht falja e organizuar në xhamitë e Kosovës.
Përmes një video-mesazhi myftiu Tërnava, tha se porosit besimtarët që të ndjekin të gjitha rekomandimet e institucioneve gjegjëse, lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Ai tha se BIK ka ndërmarrë masat në përputhje me rrethanat e krijuara.
“Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara në Kosovë, me përhapjen e rasteve të të infektuarve me koronavirus, kryesia e BIK-ut pezullon përkohësisht faljen e organizuar me xhemat të namazeve ditore dhe namazeve të xhumasë, ndërsa besimtarët porositën që ditën e premte ta falin namazin e drekës si zëvendësim të namazit të xhumasë në shtëpitë e tyre, ndërsa ezani do të vazhdon të thirret në çdo kohë të namazit ditor”, tha Tërnava.
BIK, sipas Tërnavës, do të pezullojë po ashtu procesin mësimor në të gjitha institucionet fetare. Po ashtu, ai njoftoi se xhamiat në mbarë Kosovën do të dezinfektohen.
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar tri raste me koronavirusin e ri.