Banorë të rinj në Big Brother 5
Tiranë, 4 shkurt - Nga shtëpia e Big Brother janë larguar tre banorë: Arjola, Floriani dhe Albulena, të cilët morën më pak vota nga publiku pas vendimit të Vëllait të Madh që tre personat më pak të votuar të shtëpisë më të famshme të Shqipërisë të linin lojën.
Konkurrenca është kryefjalë e këtij formati dhe banorët përgjatë rrugëtimit të tyre do të duhet të bëjnë gjithçka për të mbijetuar.
Pesë konkurrentë të rinj tanimë janë pjesë e lojës dhe do të jenë në garë për çmimin e madh.
Prej kësa jave nisin edhe ethet e nominimeve. Vëllai i Madh në këtë edicion zgjedh një tjetër formulë për to duke shmangur në njëfarë mënyre edhe aleancat mes konkurrentëve. Katër më pak të votuarit e publikut shkuan automatikisht në nominim dhe ata ishin Elvisi, Anila, Graciano dhe Françesko, por njëri prej tyre u shpëtua nga shtatë banorët e mbetur dhe ai ishte Graciano.
E shtuna e spektaklit shënon si çdo herë surpriza të mëdha. Një e tillë ishte për Edgarin, banorin më të vjetër të shtëpisë i cili gjatë kësaj të shtune ka mundur të mësojë më shumë për të birin e tij, Edgar Cani Jr., i cili shënoi gol në ndeshjen e tij të debutimit me Shqipërinë ndaj Gjeorgjisë.
Prova e javës konsistonte në rrëfimin e secilit prej banorëve nëpërmjet objekteve të veçanta.
Të gjithë ata që nuk duan të humbasin asgjë nga jeta e banorëve mund ti ndjekin ata 24 orë në 24 në dy kanalet dedikuar këtij edicioni të pestë të reality-shoë-t në platformën televizive Digitalb.