Babai i Visar Morinës do të jetë gati në vitin 2015
Prishtinë, 18 shtator - Filmi "Babai" i Visar Morinës me koproduksion gjermano-kosovar-maqedonas përfundon xhirimet në Ohër të Maqedonisë.
Ky film ka pasur rreth dy muaj xhirime në tërësi dhe kanë qenë të ndara në Kosovë, Gjermani e Maqedoni.
Filmi flet për Norin (Val Maloku) i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta. Babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të mos u ndarë nga ai.
Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për tu ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.
Në rolet kryesore janë: Val Maloku, Astrit Kabashi, Enver Petrovci, Adriana Matoshi, Aurita Agushi, Alban Ukaj, Xhevdet Jashari, Armond Morina etj.
"Babai" me regji dhe skenar te Visar Morinës është projekti më i shtrenjtë i realizuar deri më tani në Kosovë.
Ky film është produksion i NikoFilm (Gjermani), Produksioni Krusha (Kosovë), Skopje Film Studio (Maqedoni) dhe është mbeshtetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, Fondi Maqedonas i Filmit, nga televizioni publik gjerman WDR, televizioni publik gjermano-francez ARTE, si dhe nga Televizioni Publik i Kosovës RTK.
"Babai" pritet të jep premieren ndërkombëtare në fillim të vitit 2015.