23 Dhjetor 2024

Azizi: Si e “braktisa” Emin

Tiranë, 27 qeshor - Mëngjesin e 27 shkurtit, kur këngëtarja Elsina Hidersha po luftonte me vdekjen në Spitalin Ushtarak, biznesmeni Aziz Kelmendi do të pranonte se e kishte braktisur të plagosur në parkingun e pubit, për të dërguar në shtëpi të dashurën e re. Në dëshminë e tij të parë për policinë, biznesmeni kosovar, i liruar nga qelia vetëm 4 muaj pas vdekjes së Emit, pohonte se nuk e kishte ndaluar makinën, edhe pas shkëputjes fatale të 21-vjeçares nga xhamat e makinës së tij.

“Nuk doja të ndaloja, pasi Emi ishte shumë e acaruar”,-thoshte Aziz Kelmendi, duke rrëfyer më tej marrëdhëniet me këngëtaren 21-vjeçare dhe konfliktet që çuan në ndarjen e tyre. MAPO boton sot dëshminë e plotë të Aziz Kelmendit, që gjendet në dosjen e Prokurorisë, edhe për faktin se i akuzuari për këtë ngjarje nuk sqaroi asnjë rrethanë para Gjykatës, që e liroi pak ditë më parë për shkak të procedurave të shkurtuara të gjykimit. Nga ana tjetër, publikimi i këtyre dëshmive ka për qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së këngëtares Emi, në kohën kur babai i saj akuzon drejtësinë se e zgjidhi çështjen nën tavolinë.


Dëshmia e Aziz Kelmendit

Oficeri i policisë: Ju bëj të ditur se ndaj jush zhvillohen hetime për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë”, pasi sot më datën 27 shkurt 2011 në orën 02:00 në rrugën “Sadik Petrela”, pranë pub “Venue” keni tentuar të vrisni shtetasen Elsina Hidërsha, duke e goditur me automjetin tuaj, ku si pasojë kjo shtetase është plagosur rëndë.

Aziz Kelmendi: Pyetjen e dëgjova, e kuptova shumë drejt dhe dua të them se në këtë fazë të hetimit do të jap shpjegime pa praninë e avokatit tim. Shtetasen Elsina Hidërsha e kam njohur në muajin korrik të vitit 2009. Shkurt e thërrasin “Emi”. Elsina ka punuar si këngëtare te lokali im, diskoteka “Full House” në qytetin e Prishtinës në Kosovë. Gjatë kohës që Elsina ka punuar te lokali im, ne kemi filluar një lidhje intime bashkë. Lidhja jonë ka zgjatur deri para disa muajsh, por ne takoheshim përsëri dhe lidhja jonë pothuajse përfundoi para një muaji. Elsina jetonte në Tiranë, së bashku me prindërit e saj. Por gjatë këtyre kohëve të fundit, unë jam takuar me Elsinën dhe kemi vendosur që lidhja jonë të mbarojë.

Gjithashtu, dua të shtoj se para rreth një muaji unë jam njohur rastësisht me një gocë tjetër nga Tirana që quhet Persida, mbiemrin nuk ia di. Me Persidën jemi njohur te Farmacia ku ajo punonte, në Tiranë. Gjatë këtij muaji unë jam takuar disa herë me Persidën dhe kemi dalë për kafe. Elsina ishte në dijeni që unë kisha një të dashur të re, por nuk e njihte fare Persidën. Edhe Persidës i tregova se kisha pasur një të dashur me emrin Emi, por edhe ajo nuk e njihte Elsinën. Më datë 26.02.2011, rreth orës 20:30 jam takuar me Persidën pranë Fakultetit të Mjekësisë. Më pas kemi shkuar te lokal “Tifany” pranë Rrugës së Elbasanit. Ne kemi qëndruar te ky lokal për rreth dy orë dhe rreth orës 23:00 kemi dalë nga lokali dhe me makinën time “Volswagen Tuareg” me ngjyrë të zezë, me targa Kosove “612-KS-188” kemi shkuar tek pub “Venue” pranë Profarmës.

Ne u nisëm drejt pub-it, pasi kishte dëshirë Persida, sepse atje ishte e ftuar këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri. Ne kemi shkuar te pub-i rreth orës 23:20, por atje kishte shumë njerëz. Te pub-i kemi qëndruar te banaku në këmbë, pasi nuk kishte as tavolina dhe as karrige të lira. Gjatë kohës që kemi qëndruar në ambientet e Pub-it, unë me Persidën kemi biseduar mbi gjëra të përgjithshme. Unë i premtova Persidës se, nëse vinte në Kosovë, do ta ftoja këngëtaren Dafina Zeqiri te lokali im. Dua të theksoj se gjatë kohës që kemi qëndruar te pub “Venue” më ka telefonuar në numrin tim celular disa herë shtetasja Elsina Hidersha me celularin e saj me nr. 06944….., por unë nuk iu përgjigja telefonatave. Atëherë, Elsina më ka dërguar disa sms ku shkruante: “Mos jemi te i njëjti lokal ku këndon Dafina Zeqiri”.

Duke qenë i shoqëruar me Persidën, unë nuk doja ta takoja Elsinën, prandaj nuk i ktheva përgjigje me SMS. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 27.02.2011, ne kemi dalë nga pub-i dhe hipëm në fuoristradën time, të cilën e kisha parkuar te rrugica mbi pub-in. Unë hipa te sedilja e shoferit, ndërsa Persida në sediljen e përparme të pasagjerit. Në këtë moment, unë i dërgova një sms Elsinës, ku i shkruaja: “Eja merr kartën e telefonit se jam në makinë përpara lokalit”. Më pas u nisëm me makinën time dhe ecëm vetëm pak metra, ku pikërisht përpara pub-it unë e ndalova makinën. Persida më pyeti përse ndalova, por unë i thashë të rrinte e qetë. Duke menduar se Elsina mund të reagonte dhunshëm, unë i sigurova dyert e makinës nga brenda.

Në këtë moment, te makina ime po afrohej Elsina, e cila tentoi të hapë derën e pasagjerit prapa shoferit, por unë i kisha mbyllur dyert nga brenda. Atëherë, Elsina u afrua te dera e shoferit të makinës time duke tentuar të hapë derën, por pasi nuk e hapi dot, tentoi të ulë me forcë xhamin e derës. Në këtë kohë Elsina bërtiste: “Hape derën, tregohu burrë”, si dhe po më shante me fjalë. Por unë, duke hapur vetëm gjysmën e xhamit të derës së shoferit i thashë: “Ik, largohu nga makina”. Elsina nuk u largua, por iu drejtua Persidës me fjalët: “Zbrit ti goce, se do të vish një çikë me mua”. Persida i tha: “S’kam punë me ty, nuk të njoh fare”.

Atëherë unë nisa makinën rrugës drejt Profarmës, në fillim ngadalë. Por Elsina u kap me të dy duart te xhami i derës së shoferit dhe nuk shkëputej. Duke menduar se Elsina do të shkëputej nga makina, vazhdova të ecja ngadalë. Persida më thoshte: “Ndalo, ndalo të lutem”, por unë nuk ndalova dhe vazhdova të ecja ngadalë. Nuk doja të ndaloja, pasi Elsina ishte shumë e acaruar. Pasi kisha ecur përreth 50-70 metra me makinë në rrugën që të nxjerr te Profarma, në një moment unë pashë që Elsina i hoqi duart nga xhami i derës së shoferit dhe unë mendova se u shkëput nga makina dhe vazhdova të ecja. Unë nuk e pashë nëse Elsina u rrëzua përtokë. Unë vazhdova rrugën dhe rrugës Persida më tha: “Ktheje prapa, ktheje prapa të lutem”, por unë i thashë se do ta çoja atë në shtëpi, pastaj do të kthehesha prapa. Unë e përcolla Persidën, deri pranë shtëpisë së saj dhe u ktheva përsëri te pub-i. Kur u ktheva, konkretisht rreth 50 metra pa shkuar te pub-i shoh disa punonjës policie në rrugë dhe ndalova aty.

Policët më pyetën nëse kisha aksidentuar një vajzë të re me makinën time dhe unë u tregova për incidentin me Elsinën. Në vendngjarje kishte një pellg gjaku dhe aty mësova se Elsina ishte dëmtuar dhe e kishin dërguar në urgjencën e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Në këtë kohë, unë mora në telefon një shoqen e Elsinës, që quhet Valza Bajra, kosovare nga Prishtina, këngëtare, për të cilën kisha dijeni se gjatë 4 ditëve të fundit kishte qëndruar në shtëpinë e Elsinës. Valza erdhi tek vendi i ngjarjes pas 2-3 minutash, pasi kishte qenë te pub “Venue” dhe unë i tregova se Elsina ishte dëmtuar dhe e kishin dërguar në spital. Valza pa edhe pellgun e gjakut, filloi të qajë dhe i ra të fikët. Më pas, edhe Valzën e çuan në spital.

Pyetje: Në çfarë mënyrë është rrëzuar nga makina juaj shtetasja Elsina Hidërsha dhe si u dëmtua ajo?

Elsina ka ecur paralel me makinën time, që përpara hyrjes së pub “Venue” e deri te vendi i ngjarjes, pra rreth 50 metra më tej, në drejtimin e rrugës që të çon te Profarma. Elsina ishte kapur me duar te xhami i derës së shoferit të makinës time. Në një moment, unë pashë që Elsina u shkëput nga makina, duke i hequr duar nga xhami, por unë nuk e pashë të rrëzohej. Unë kam vazhduar rrugën drejt përpara, duke shtuar shpejtësinë e makinës. Unë nuk e di si është dëmtuar Elsina.

Pyetje: A e keni shtyrë shtetasen Elsina Hidërsha, në momentin kur ajo ishte kapur me duar te xhami i derës së shoferit të makinës tuaj dhe nuk po shkëputej prej andej?

Jo, unë nuk e kam prekur fare me duar Elsinën. Ajo është shkëputur vetë nga makina ime.

Pyetje: A i keni të ruajtura mesazhet dhe telefonatat që keni shkëmbyer me shtetasen Elsina Hidërsha gjatë ditëve të fundit?

Jo nuk i kam të ruajtura, pasi i kam fshirë. E kam zakon që nuk ruaj asnjë mesazh në telefon.

Pyetje: A keni dijeni kush e ka celularin dhe çantën e shtetases Elsina Hidërsha?

Jo, nuk kam dijeni. Kur Elsina është afruar te makina ime, nuk ka patur çantë dore me vete, ndërsa celularin nuk ia kam parë në duar.Mapo

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)