Avni Behluli sjell në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Mitin për Jetën”
Prishtinë, 13 shtator - Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Miti për Jetën” e autorit Avni Behluli.
Në këtë ekspozitë personale, për Behlulin e 23-ta me radhë, autori paraqitet me vizatime dhe grafika me të vetmin cikël, “Simfonia e artit”.
Profesor Avni Behluli ka përfunduar studimet master për skulpturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Avni Behluli është fitues i dhjetëra çmimeve në fushën e kulturës, respektivisht në fushën e artit pamor, si dhe pjesëmarrës i një sërë kolonish artistike si në Itali, Qipro, Shqipëri, Turqi, Maqedoni, etj.
Akademiku i mirënjohur, z. Rexhep Ferri shprehet mbi përshtypjet e tij nga ri-takimi me autorin: [...“Nuk i paske harruar ëndrrat!... Me shpirtin krijues i paske gdhendur, vizatuar artistikisht, i paske skalitur…”].
Përderisa z. Bislim Aliu, ndër të tjera përshkruan se “Çdo vepër e tij ka veçanti, ka poetikë, ka ndjesi, porosi, por ka edhe filozofi. Ai është një krijues i veçantë, por edhe i gjithanshëm. Vizatues, skulptor dhe grafikë“.
Ndryshe, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.