Autostrada Biennale ndalon në Parking, tre kate nën tokë
Prizren, 2 maj - Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës Sculp Fest, vazhdon edicionin e katërt, me eventin bashkëkohor, që organizohet në kuadër të Autostrada Bienniale (Biennalja Ndërkombëtare e Arit Bashkëkohor).
Hapësira e përzgjedhur për mbrëmjen e dytë është Parkingu që në mënyrë metaforike paraqet një gjendje aktuale të ndalimit, me qëllim të një nisjeje të re të projekteve të ndryshme bashkëkohore në kuadër të Autostrada Biennale.Partner kuratorial i eventit është M.A.M. Foundation me kurator Klod Dedja.
Nën peshën e strukturës prej betoni, në tre kate nën tokë, përgjatë 5 orëve do të ketë prezantime të ndryshme të artistëve, skulptura, instalacione, video dokumentar, punëtori, performanca dhe muzikë.
Në këtë ngjarje do të ketë artistë të mirënjohur nga skena e artit bashkëkohor të cilët vijnë nga vende të ndryshme: Coony Karlsson Lundgren (Suedi), Obssesive Possessive Aggression-OPA (Maqedoni), Ozan Unal (Turqia), Agron Blakcori(Kosova), Sanja Latinovic (Serbia), Ranko Djankovic (Serbia) , Shpend Havolli (Kosova), Boban Anastasi (Shqipëria), Stefano Romano (Italia).