10 Janar 2025

Arti Shqiptar ëmbëlson Qytetin Piran

Piran, 2 qershor - Në mbrëmjen e 29 Majit në qytetin e bukur bregdetar Piran u hap ekspozita “A don diçka të ëmbël” kuruar nga Gani Llalloshi. Kuratori mblodhi 20 vepra të artistëve shqiptar për ta njoftuar publikun Slloven dhe më gjërë me artin shqiptar.

Ekspozita është e vendosur në galerinë e qytetit Piran dhe do të qëndroj e hapur deri më 30 Gusht 2015.

Kjo ekspozitë që ngjalli interesim të madh në Slloveni dhe më gjërë, mblodhi shumë mysafirë që erdhën të njoftohen me artistët dhe të kuptojnë më shumë rreth artit shqiptar.

Kuratorja kryesore e galerisë Znj. Majda Bozeglav Japel, në hapjen solemne falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët të cilët mundësuan një ekspozitë kaq unike.

Të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Kosovës në Slloveni ekselenca e tij Z. Nexhmi Rexhepi i shoqeruar me bashkeshorten e tij Znj. Aferdita B. Rexhepi, kryetari i Komunës Piran Z. Peter Bossman, drejtori i Autostradës Biennale Z. Leutrim Fishekqiu dhe kuratori e ideatori i kësaj ekspozite, Z. Gani Llalloshi.

Kryetari i Komunës Piran theksoi se kjo iniciativë është shumë e veçantë dhe në të njejtën kohë është ndjenjë shumë e mirë që e gjithë kjo po ndodh në Piran.

“Kur u takova për herë të parë para disa muaj me piktorin akademik Gani Llalloshi dhe më tregoi që është duke e përgaditur një ekspozitë me artistë shqiptarë, u ndjeva shumë mirë. Të gjithë e dijmë që në këtë periudhë të organizosh ekspozita kolektive jashtë shtetit nuk është punë e lehtë, por Ganiu e bëri këtë, me ndihmën e Ambasadës dhe komunës Piran” theksoi Ambasadori i Kosovës në Slloveni Z. Rexhepi. “Edhe pse unë nuk jam një kritik arti por në syrin tim kjo ekspozitë është shumë unike. Po them unike sepse në këtë ekspozitë janë të shfaqura punët personale nga përjetimet personale të shumë artistëve shqiptar“ shtoi ai.

Drejtori i Autostrada Biennale Z. Leutrim Fishekqiun tregoi që ky është një bashkëpunim shembull se si duhet të bashkëpunojnë organizatat kulturore në rajon dhe falenderoi drejtoreshen e galerise Znj. Liljana Stepancic.

“Ky është bashkëpunim i fundit në këto kushte me Galeritë Bregdetare të qytetit Piran, pasi se Leo’s Art Org me këtë ekspozitë e ka përfunduar misionin e saj të filluar para 4 vite me festivalin SculpFest. Tani jemi në përgaditje të biennales së parë të artit bashkëkohor në Kosovë e cila quhet Autostrada Biennale.\"

\"Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë me Galerite Bregdetare te Qytetit Piran dhe shpresoj se së bashku me të gjithë partnerët tonë rajonal do ta ndërtojmë një biennale ndërkombetare unike e cila edicionin e pare do ta mbajë ne vitin 2017 ne Prizren” shtoi ai.

Në fund, për ta hapur ekspozitën e mori fjalën kuratori Z. Gani Llalloshi i cili foli për konceptin artistik të ekspozitës. Kjo ekspozitë, sipas Llalloshit, në qytetin Piran do të prezantojë artin vizual bashkëkohorë nga Kosova, e cila tashmë ka tërhequr vëmendjen në forumet ndërkombëtare. Dhe pikërisht kjo ekspozitë me artistët kosovarë është edhe një përpjekje e kuratorit Gani Llalloshi që të lidhë Kosovën dhe Slloveninë, pasi që edhe jeta e tij ka një ndërlidhje mes Kosovës dhe Sllovenisë.

“Ekspozita do të prezantojë artin e angazhuar Kosovar me punët vizuale në teknika të ndryshme si video, fotografi, instalacion, vizatime dhe piktura. Këto vepra flasin për jetën e përditshme të njeriut dhe shoqërisë në të cilën jeton.\"

\"Tregimet personale dhe ngjarjet e përditshme që përshkojnë përmbajtjen e veprave te ekspozuara nxjerrin në pah rëndësinë e individit te angazhuar ne shoqëri”, ka thënë Z. Llalloshi.

Sipas tij përzgjedhja është bërë duke u fokusuar në punën e artistëve prej vitit 2000, ku veprat e tyre kanë zgjuar vëmendjen por edhe kanë marrë çmime ndërkombëtare.

Artistët që morën pjesë në këtë ekspozitë janë: Leonora Salihu, Alban Muja, Astrit Ismaili, Alketa Xhafa Mripa, Jetmir Idrizi, Mehmet Behluli, Alketa Ramaj, Nita Deda, Driton Haradinaj, Lulzim Zeqiri, Qendresë Deda, Jakup Ferri, Dren Maliqi, Rudina Xhaferi, Eliza Hoxha, Elisa Martini, Majlinda Hoxha dhe grupi i artistëve nga HAVEIT. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)