Arti dhe kultura promovojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare
Mitrovicë, 16 shkurt - Kryetari i komunës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, kanë pritur në takim sopranon mitrovicase me karrierë ndërkombëtare, Elbenita Kajtazi.
Kryetari Hamza pasi i uroji mirëseardhje artistes sonë u shpreh se arti dhe kultura janë një instrument i fuqishëm për promovimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe ndihet jashtëzakonisht krenar më të arriturat e sopranos Elbenita Kajtazi e cila i ka dhënë madhështi skenës se operës në cilëndo shfaqje ku ajo ka performuar.
“Ndihem shumë i nderuar me vizitën tuaj, suksesi juaj dhe i të rinjve tanë janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë, andaj edhe ne si institucione do të bëjmë çmos që të përkrahim kulturën dhe talentet e rinj që ti pushtojnë skenat e mëdha botërore”, shtoj kryetari Hamza.
Ndërsa, sopranoja Elbenita Kajtazi, ka theksuar së ka qenë ëndërr e saj që ta përfaqësoj vendin në skenat ndërkombëtare të operës, andaj akoma më shumë do të bëjë përpjekje që të promovohen artistët dhe vlerat kulturore të Kosovës.