Arrestohet një person për cenim të të drejtave të autorit
Prishtinë, 11 korrik - Me qëllim të luftimit, parandalimit dhe mbrojtjes së të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta si pjesë e implementimit të strategjisë kundër falsifikimit dhe piraterisë, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me 10.7.2013 ka arrestuar një person me dyshimin se ka kryer veprat penale cenimi i të drejtave të autorit, shmangie nga tatimi dhe falsifikim i dokumentit.
Personi i arrestuar është: E. Th. i lindur me (1975)
Bazuar në hetimet policore dyshohet se personi tashmë i arrestuar si pronar i një kompanie diskografike ka lidhur kontrata pa bazë juridike, false me një kompani tjetër ku i jep në shfrytëzim të drejtën e autorit për të gjitha produktet e një kompanie të tretë, duke e dëmtuar për rreth 30 (tridhjetë) milionë klikime në Youtube.
Sa i përket veprës penale shmangie nga tatimi, dyshohet se nga të hyrat e përfituara që arrin shumën mbi 1 (një) milion euro, i njëjti ka deklaruar vetëm një pjesë të tyre, ashtu që shmangia nga tatimi është vlerësuar rreth 200,000.00 .
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë realizuar nën autorizim të prokurorit përkatës dhe ndaj personit të arrestuar është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me procedurat tjera.