Anulohet mbajtja e PriFest
Prishtinë, 22 mars - Me keqardhje informojmë publikun se jemi të detyruar të marrim një vendim të rëndë, të anulimit të edicionit të 7 të PriFest. Ky vendim vjen pasi të mërkurën morem informaten nga Ministria e Kulturës së Kosovës ku thuhet se festivalit i zbritet mbështetja deri në 78% nga kjo Ministri.
Duke marrë parasysh se mbështetja financiare nga MKRS tradicionalisht (që nga edicioni i parë) është mbështetja kryesore e festivalit, dhe festivali edhe duke e llogaritur mbështetjen në fondet e MKRS si në të kaluarën prapseprapë, ky vendim i MKRS ose më saktë i ministrit të ri në detyrë, Kujtim Shala, nuk na lejon të vazhdojmë me mbajtjen e edicionit të rradhës.
Për më keq, lajmi vjen vetëm 1 muaj para hapjes së PriFest, kur ne tanime kemi bërë të gjitha përgaditjet, duke përfshirë përzgjedhjen e filmave, të jurive ndërkombëtare dhe ftesën e mysafirëve të huaj në festival.
Ky fakt, fatkeqsisht, na sjell në konkludim që ky Ministër (i emëruara para 3 muajsh) nuk e kupton apo nuk don ta kuptojë rëndësinë e një festivali ndërkombëtar të filmit si PriFest, si pjesë e një industrie edhe ashtu të brishtë të filmit të Kosovës dhe pse jo diplomacisë kulturore të vendit.
Ai, nuk e do këtë event kulturor që të ndodh në kryeqytetin e vendit që ai qeveris (ai është edhe zëvendëskryeministër). Duke na e dhënë këtë lajm të keq vetëm 1 muaj para hapjes, ai poashtu në mënyrë cinike për shkak të kohës së shkurtër pamundëson që të gjejmë fondet alternative diku tjetër.
Por, për të qenë edhe më keq, paralelisht me shkëputjen e mbështetjes financiare, ai nëpërmjet Teatrit Kombëtar (i cili është nën ombrellën e MKRS) poashtu pamundësoi edhe fizikisht mbajtjen e festivalit. Edhe pse PriFest kishte aprovim me shkrim nga ish-drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar për shfrytëzimin e hapësirës së Teatrit për javën e PriFest 7, për të cilën ne i kemi përcaktuar datat qysh në maj të vitit 2014, pra një vit më heret, dhe kemi vënë në dijeni Teatrin Kombëtar, megjithatë menaxhmenti i ri i përkohshëm i Teatrit Kombëtar (i përzgjedhur nga Këshilli drejtues që u emërua nga ky Ministër muajin e kaluar) refuzon të ktheje përgjigje duke mos përfillur marrëveshjen e nënshkruar që kemi.
Pra, injorojnë një marrëveshje paraprake të nënshkruar nga paraardhësit e tyre. Kujtojmë publikun, se Teatri Kombëtar ka qenë partner i festivalit dhe epiqendra e ngjarjeve të PriFest që nga edicioni i parë, e për më shumë çdo vit ne kemi paguar për përdorimin e këtyre hapësirave.
Kjo praktikë e bashkëpunimit festival me Teatër apo hapësirat publike është normale në botë, duke kujtuar festivalin e Sarajevës, Sofjës, Berlinit etj. Por, jo më në Kosovë.
Kjo sjellje e Ministrit Shala na ka dekurajuar dhe nuk na ka lënë tjetër zgjidhje, përpos që në shenjë proteste ta anulojmë këtë ngjarje, ne besojmë të rëndësishme kulturore për vendin tonë.
Ne nuk duam ti lejojmë vetes që për mungesë fondesh të ulim standardin e organizimit, andaj jemi të detyruar të anulojmë të gjithë filmat e selektuar për këtë edicion, disa prej tyre premiera botërore, ndërkombëtare, evropiane dhe regjionale, por të gjitha pa dyshim premiera në Kosovë.
Poashtu, jemi të detyruar të anulojmë ftesat mysafirëve të shumtë dhe jurisë ndërkombëtare që konfirmuan ardhjen e tyre këtë vit, ndërkohë që për disa prej tyre tashmë i kemi blerë edhe biletat e aeroplanit. E kemi anuluar edhe garën për Best Pitch ku kishin konkuruar mbi 20 projekte nga rajoni që garonin për cmimin Vanessa Redgrave.
Por, më i dhimbshëm është fakti se një event kulturor, ndër më të mëdhejt në vend, e më i madhi në Prishtinë gjithsesi, që gjatë këtyre viteve solli në Kosovë emra të mëdhenjë të industrisë së filmit, mbajti trajnime dhe uorkshope për kineastët, solli filmat më të mirë dhe më të ri nga Ballkani, Evropa dhe bota në Kosovë (mbi 400 filma të metrazhit të gjatë, mesëm dhe dokumentar) dhe programet me fokus special i autorëve të mëdhenj botëror apo shteteve (promovoi kinemane Franceze, Italiane, Japoneze, të Amerikës Latine dhe Indisë dhe këtë vit ishte dashur të jetë kinemaja Turke) si dhe ai i filmave artistik me tematikë LGBT, të gjitha këto kanë humbur për audiencën dhe komunitetin e kineastëve të Kosovës.
Fundja, edhe kjo është një trashëgimi e vogël kulturore, por tashmë fatkeqsisht e humbur për Kosovën.
Përse ky ministër e bëri këtë nuk e dimë, sepse ne nuk morem përgjigje në kërkesën tonë drejtuar atij për sqarim se pse e kanë ulur aq drastikisht buxhetin për dallim nga 6 vitet e kaluara, dhe cila ka qenë metodologjia e evaluimit të projekteve apo performansa e tyre në të kaluarën. Ministria nuk ka përgjigje!
Nuk duam të besojmë se një ministër i ri në moshë, i ngarkuar me punë të kulturës, rinisë dhe sporteve, ka pasur dicka kundër programit që PriFest ka shfaqur, përfshi këtu programin LetItBe që kishte në fokus filmat me temë të komunitetit LGBT, ku pa modesti themi se PriFest pati guximin ta trajton këtë cështje sensitive shoqërore.
Këtë program e kemi lansuar në bashkëpunim me festivalin OutFest nga Los Angeles (festivali më i madh i LGBT që ekziston qe 35 vite) dhe në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Natyrisht, si të gjithë filmat, edhe këtë program e kemi anuluar edhe pse filmat janë përzgjedhur më parë nga selektorët e partnerit tonë Outfest LA.
Për këto 7 vite, PriFest dhe platforma e saj regjionale e koproduksionit Prishtina Film FORUM solli emra të mëdhenj në Prishtinë dhe Kosovë, si Vanessa Redgrave fituese e Oscar dhe Golden Globe që është edhe president nderi e PriFest, Stephen Frears i nominuar për Oscar dhe fitues I BAFTA, Samuel Maoz fitues i Luanit të Artë në Venecia, Danis Tanovic fitues i Oscar dhe Berlinale, Eva Orner fituese e cmimit Oscar për dokumentar, Jasmila Zbaniç fituese e Berlinale, Joshua Marston i nominuar për Oscar, Çedomir Kolar fitues i Oscar dhe Berlinale, dhe qindra kineastë tjerë nga rajoni dhe evropa.
Të gjitha këto vizita janë padyshm një diplomaci kulturore e mirë për një vend të vogël si Kosova. Për më shumë PriFest dhe PriFORUM mbështetën edhe industrinë vendore dhe kineastët e regjionit me uorkshope dhe seminare (trajnime për kritik të filmit, zhvillim skripte, prezentim projekti dhe gjetje mundësish financiare e shumë të tjera) që u mbajtën me partnerë të rëndësishëm evro-amerikan, si fondi gjerman Medienboard, eventi gjerman i koproduksionit Connecting Cottbus, organizata panevropiane e producentëve EAVE, organizata ndërkombëtare e kritikëve të filmit FIPRESCI, festivali OutFest LA (USA) dhe Sundance Festial. Poashtu PriFest prezentoi për kineastët vendor dhe regjional shume organizata të rëndësishme filmike si: European Film Promotion, Media Mundus, Sor Fund Norvegji, CNC France, festivalin Berlinale, platformën Cinelink dhe Sarajevo Film Festival, Sofia Meetings dhe Sofia Film Festival, Slovak Film Institute etj. PriFest ka pasur bashkëpunim të rregullt me qendrat kinematografike të rajonit si: Agjensionin e Filmit të Maqedonisë, Qendrën Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës së Malit të zi, Heartefact Fund Serbi dhe natyrisht Qendrën Kinematografike të Kosovës. Dhe, pse të mos cekim se PriFORUM cdo vjet ka ndihmuar direkt projektet filmike vendore, duke i prezantuar si rast studimor, para mysafirëve të festivalit, producentevë të huaj dhe përfaqësuesve të fondeve të ndryshme.
Jemi shumë të dëshpëruar me këtë veprim të ministrit të kulturës, sepse vjen në rradhën e veprimeve që dëmtojnë industrinë e re të filmit në Kosovë. Veprimet si tërheqja e Projektligjit për Kinematografi nga Kuvendi i Kosovës, projektligj ky i punuar për 1 vjet me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe kompanisë konsulente gjermane, pastaj shkarkimi i Këshillit drejtues të QKK pa asnjë spjegim, vërja në pyetje e prezencës së pavilionit të Kosovës në Cannes, janë për neve menaxhim i stilit talibanesk që nuk jep shpresë.
Prifest nekzil
Por, ne nuk dorëzohemi. Në shenjë proteste PriFest shkon në ekzil. Kemi vendosur që me emrin PriFest nekzil ta hapim festivalin në Tiranë me datën kur edhe ishte paraparë të hapet edicioni i 7, pra me 24 prill. Në Tulla Culture Center në Tiranë për dy ditë do të shfaqim një pjesë të vogël të filmave që ishin paraparë në PriFest 7. Këtë do ta bëjmë me buxhet zero.
Duam që për mbështetjen e deritashme të falenderojmë të gjithë komunitetin artistik të Kosovës, posaçërisht aktorët që tradicionalisht dhe pa kompenzim moderuan hapjen dhe mbylljen e edicioneve të PriFest, miqtë dhe mbështetësit, sponzorët, donatorët, posaçërisht sponzorin tradicional Raiffeisen Bank, dhe Digitalb, IPKO, dhe Ambasadat dhe Ambasadorët e akredituar në Prishtinë, partnerët vendor dhe ndërkombëtar, mediat, stafin dhe vullnetarët, si dhe Ministrat e mëparshëm të kulturës Valton Beqiri, Lutfi Haziri dhe Memli Krasniqi.
Krejt në fund, i drejtohemi ministrit të tashëm Kujtim Shala me porosinë se nuk ndihmohet një festival duke shkatërruar tjerët. Vetëm konkurenca e fortë, si në çdo lëmi, i bën më të forta në këtë rast festivalet.
Me daljen në skenë të PriFest para 7 vitesh, duke ngritur standardin teknik dhe përmbajtësor, kemi rritur konkurencën e eventeve brenda vendit, dhe i kemi bërë mirë të gjithëve duke i detyruar të ngrisin standardet organizative dhe teknike.
Por, ministri Shala këtë nuk e di se atëherë ka qenë i ri, edhe në moshë edhe në politikë, e besa edhe nuk e njohim si njeri që ka përcjellur eventet filmike. E dimë që kjo porosi shkon në vesh të shurdhër, por damka që ky ministër do ta mban përjetë është ajo që nuk mund ta fshinë kurrë, e ajo është se përzuri PriFest nga Kosova. Se a do të mërzitet Ministri që me këtë lajm të keq që do ta marrë dhenë në gjithë Evropën dhe Amerikën do të dëmtohet imazhi edhe ashtu fantastik i Kosovës, këtë ne nuk e dimë, por e dimë që Kosovës më së paku i duhen lajme të tilla.
Na është bërë e qartë që derisa ky ministër dhe ata që mendojnë si ky janë në pushtet, PriFest nuk është i mirëseardhur në Kosovë. Fatkeqësisht, kemi parë me dhjetëra mija bashkëatdhetarë tanë që lëshojnë Kosovën kohëve të fundit, dhe ja që erdh puna që edhe një event kulturor të shkon në ekzil, e ky rast pa precedent le ti mbetet për nder këtij ministri.
Fatmirësisht si çdo mandat i një politikani, edhe ai do të jetë i përkohshëm. PriFest do të kthehet në shtëpi kur Kujtim Shala nuk do të jetë më ministër, dhe kur mendësia e tillë zëvendësohet me njerëz normal.