Anulohet koncerti i Lady Gagas në Indonezi
Jakarta, 28 maj - Menaxherët e artistes amerikane Lady Gaga thonë se koncerti që kishte planifikuar të jepte këngëtarja më 3 qershor në Indonezi është anuluar.
Vendimi për anulimin e koncertit u mor pasi ekstremistë islamikë kërcënuan se do të ndërmerrnin akte dhune nëse Lady Gaga jepte koncert në Indonezi.
Menaxherët e artistes shprehën shqetësim për sigurinë e saj, por edhe të spektatorëve që do të vinin në koncert.
Policia indoneziane nuk pranoi të jepte leje për zhvillimin e koncertit nëse artistja nuk pranonte të zbuste tonet seksuale dhe dekadente që karakterizojnë shfaqjet e saj.
Ekstremistët islamikë kishin kërcënuar të dërgonin 30 mijë vetë për të mos e lejuar Lady Gaga-n të zbriste nga avioni.
Mbi 52 mijë bileta janë shitur për këtë koncert, që do të kishte qenë shfaqja e saj më e madhe në Azi.