Ansambli “Shota” është identitet kulturor i vendit
Prishtinë, 17 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”.
Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, falënderoi Ansamblin “SHOTA” për vlerat artistike dhe përfaqësimin e shqiptarit në mënyrën më të mirë përmes artit, duke thënë se sot është një ditë më ndryshe, pasi ndihet i nderuar sa herë që është përballë këtij Ansambli.
“Arsyeja pse jam i nderuar, është se vërtetë kam parë vlera artistike dhe një fuqi ta quaj ashtu njerëzore të jashtëzakonshme, por edhe e kam pa shqiptarin në mënyrën më të mirë përmes artit i përfaqësuar. Kur them shqiptarin, kuptohet me këtë duke besuar në vlerat tona kombëtare, kulturën, artin, atë që është e çmuar prej nesh, nënkupton se i çmojmë të gjithë tjerët, pra nuk është veç një veçim i vetvetes se kemi respekt për vlerat e të gjithë popujve”, tha Kryeministri Haradinaj, pas takimit që zhvilloi me Ansamblin “SHOTA”, me të cilët biseduan për sfidat me të cilat përballen ata, por edhe përgjegjësitë e Qeverisë ndaj tyre.
Kryeministri Haradinaj, në shenjë falënderimi për punën e tyre artistike, e nderoi Ansamblin “SHOTA” me medaljen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, dhe tha se Ansambli “SHOTA” është identitet kulturor i vendit.
Ndër tjerash, Kryeministri Haradinaj, tha se Kosova është me fat që ka një Ansambël që është kaq lartë, edhe në vlera të artit, por edhe me njerëz kaq të mrekullueshëm.
Ndërkaq, Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, Shefqet Gjocaj, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke thënë se si institucion i kulturës ngado që shkojnë pretendojnë të jenë ambasadorët më të mirë shtetit.
Ai tha se në këtë takim, e ka njoftuar Kryeministrin Haradinaj për sfidat, problemet me të cilat përballet Ansambli, duke theksuar se kjo vizitë u jep shpresë se trajtimi i institucioneve të kulturës dhe artit në përgjithësi do të jenë në nivelin më të lartë dhe do të kenë kujdesin e shtetit.
Me këtë rast drejtori Gjocaj i ka ndarë kryeministrit Haradinaj fotografinë nga shfaqja “KUMT” që i dedikohet Gjergj Kastriotit Skënderbeut në kuadër të vitit mbarëkombëtar.