Ann Christine Eek, sjellë përmes fotografisë jetesën në Kosovën e viteve të ’70-ta
Prishtinë, 5 dhjetor - Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet ceremonia e hapjes së ekspozitës së fotografes, shkrimtares, dhe pedagoges nga Suedia, znj. Ann Christine Eek, e titulluar “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976.”
Kjo ekspozitë përbëhet nga fotografi bardh e zi, të cilat znj. Eek i ka realizuar në vitet e 1970-ta gjatë qëndrimit të saj në rajonin e Dukagjinit në Kosovë.
Sot, si dokumentim i një rëndësie historike, nëpërmjet 50 fotografive, Ann Christine Eek na tregon se si dukej jeta e përditshme në një fshat të Kosovës në vitin 1976, përmes narrativit të grave të cilat e ftuan në shtëpitë e tyre.
Ann Christine Eek e ka vizituar Kosovën për herë të parë në vitin 1976, duke qëndruar këtu për gati shtatë javë në fshatin Isniq, bashkë me antropologen Berit Backer (1947-1993). Gjatë këtij qëndrimi në vendin tonë ajo dukumentoi përmes mijëra fotografive mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Kosovë, me fokus rajonin e Dukagjinit.
Për shkak të qasjes më të kufizuar në botën më të mbyllur të gjinisë mashkullore të asaj kohe, znj. Eek projektin e saj e kishte koncentruar në tregimet e pesë grave të fshatit. Edhe pse Eek nuk fliste shqip, gratë shpejt e pranuan atë, duke mos u vënë në siklet nga prezenca e saj.
Kjo marrëdhënie i mundësoi znj. Eek të lëvizte e pavërejtur, të fotografonte gratë gjithnjë duke punuar, në shtëpi apo në bjeshkë, duke pjekur bukë, zier, thurur, endur në vek, duke u kujdesur për fëmijët dhe duke u kujdesur për të lashtat dhe bagëtinë.
Sot, si dokumentim i një rëndësie historike, nëpërmjet 50 fotografive bardh e zi, Ann Christine Eek na tregon se si dukej jeta e përditshme në një fshat të Kosovës në vitin 1976, përmes narrativit të grave të cilat e ftuan në shtëpitë e tyre.
Fotografitë e shfaqura janë shtypje digjitale të vitit 2019, të realizuara në Hahnemühle Photo Rag Baryta në letër të tipit MOAB Juniper Baryta Rag, dhe shtypje analoge të vitit 1991 në AGFA Record Rapid.
Në 2020, ajo do të publikojë këtë histori në formë të librit me po të njëjtin titull, “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976” (në shqip: Jeta shqiptare në fshat – Isniq, Kosovë 1976), në bashkëpunim më ish-Ambasadorin e Kosovës në Washington, Avni Spahiu.
Pak fjalë për Ann Christine Eek:
E shkolluar për fotografi, nën mentorimin e fotografit më të njohur të Skandinavisë, Christer Strömholm, znj. Eek është një fotografe e shkëlqyeshme: ajo studion, hulumton dhe shkruan, merr pjesë në debate dhe ka shkruar kritikë për ekspozitat e fotografëve tjerë.
Ajo ende punon brenda kufijve të teknikës bardh e zi, sot me fotoaparat digjital, duke përdorë paletë të së hirtës për të ngjyrosur imazhet e saja, në kërkim të shfaqjeve të forta vizuale.
Sot ajo punon me fotografi digjitale edhe pse ende në kërkim të ndjesisë së letrës baryta, duke zgjedhur letrat që më së afërmi i gjasojnë fotografive analoge të cilat ajo i donte dikur.
Njoftoheni po ashtu se me anë të kësaj ekspozite e cila do të qëndroj e hapur deri më 13 janar 2020, Galeria e Ministrisë së Kulturës përmbyllë Programin e saj Artistik për vitin 2019.