Anibar krijon urë lidhëse mes kulturës kosovare dhe asaj franceze

Pejë, 9 mars - Organizata kulturore “Anibar” ka njoftuar për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të Kinema “Jusuf Gërvalla” respektivisht hapësirave të Akademisë së Animacionit. 
Si organizatë e cila në vazhdimësi ka punuar në intensifikimin e bashkëpunimeve me botën e jashtme kulturore dhe ofrimin e sa më shumë mundësive sidomos për të rinjtë, jo vetëm nga Peja por gjithë Kosova, jemi tejet të lumtur për hapjen e kësaj qendre sot. 
Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar e cila u nënshkrua sot. 
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje prezent ishin edhe ambasadorja franceze, shkelqësia e saj, znj. Marie Christine Butel, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar - Anibar, znj. Arba Hatashi. 
Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shkelqësia e saj, znj. Marie Christine Butel foli për historikun e bashkëpunimit të Ambasadës Franceze me Anibar, ndërsa znj. Arba Hatashi përveç prezentimit të tri animacioneve të shkurtra të realizuara nga nxënësit e Akademisë së Animacionit Anibar, prezentoi edhe punën e Anibar, Kinema “Jusuf Gërvalla” dhe Akademisë së Animacionit. 
Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës. 
Frankofone në Pejë, do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme që punojnë në Pejë e Kosovë, me organizata të ndryshme që fushën e veprimit ose prejardhjen e kanë në Francë. Kjo qendër ndër tjera do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge si dhe aktivitete tjera kulturore e edukative në Komunën e Pejës.
 Përmes Qendrës Frankofone në Pejë, të rinjtë dhe të rejat, por jo vetëm, do të kenë mundësi të shumta për të mësuar mbi kulturën e pasur franceze. 
Marrëveshja e sotme me Ambasadën Franceze, është një hap tjetër në shtegun e gjatë të bashkëpunimit që Anibar ka realizuar në fusha të ndryshme. 
Hapësira e Qendrës Frankofone, është po e njëjta që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit e themeluar nga Anibar, dhe që është restauruar dhe rivitalizuar si pjesë e Kinema “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. 
 
















