Ambasada gjermane mbështet MKRS-në në projekte te rinisë e kulturës
Prishtinë, 11 tetor - Ministri Kujtim Gashi ka pritur sot në një takim njoftues ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës e Gjermanisë.
Ministri ka falënderuar ambasadorin gjerman Heldt dhe përmes tij qeverinë dhe popullin gjerman për ndihmën e pakursyer dhe të vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin për Kosovën në të gjitha fushat, posaçërisht në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, sportit dhe rinisë.
Ministri Gashi theksoi se Gjermania është prej shteteve partnere e mike të Kosovës. Ai shtoi MKRS-ja dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë bashkëpunuar në shumë projekte të interesit të përbashkët dhe pret që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë në të ardhmen në fushat që shihen me prioritet nga të dy palët.
Ndërkaq, ambasadori Christian Heldt, uroi ministrin Gashi për detyrën e re dhe rikonfirmoi se Gjermania do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen.
Ai potencoi se mbështetja e ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje, me theks në sferën e rinisë e të kulturës.
Ministri Gashi dhe ambasadori Heldt u pajtuan të thellojnë bashkëpunimin edhe më tutje në fushën e kulturës e rinisë në mënyrë që të ofrojnë popujt përmes shkëmbimeve dhe aktiviteteve kulturore.