Ali Pasha në dramën e Milazim Krasniqit
Këndvështrim dramatologjik për dramën Rulèt ruse për Ali Pashën të autorit Milazim Krasniqi
Berat Armagedoni
Ali Pasha ka qenë tiran i egër ndaj bashkëkombësve të vet e servil ndaj të huajve. Këtë figurë historike me ngarkesa të tepërta psikike në këtë mënyrë e portretizon dramaturgu Milazim Krasniqi në dramën e vet me ide historike shkruar po për dështimin e Aliut, Rulèt ruse për Ali Pashën. Këtu vihet re naiviteti i Pashait, shkaku i të cilit humbi: jetën, gratë e vashat e reja, dylberët, pushtetin por dhe i dështoi ideja kombëtare për bërjen e Arbërisë shtet sovran
Ky njeri i shtrirë këtu është Ali Pashë Tepelena. Nga disa njerëz për të gjallë të tij është konsideruar burrë dinak, mendjemprehtë, i zoti e i guximshëm, sidomos i rreptë e tarak (diçka si Akili i Trojës). Disa të tjerë pas vdekjes e kanë quajtur biseksual, frikacak, tradhtar, servil e çfarë jo tjetër (diçka si Gilgameshi i Urukut)! Mbase njëra nga këto të dyja veçori të tij duhet të jetë propagandë ose të dyja të vërteta! Por, edhe nëse i kishte këto të dyja, me këto të mira e të këqija atij i është thurur një këngë e bukur (mit i dhembshëm) pas vdekjes: Koka në Stamboll trupi në Janinë, të shtrinë Ali Pashë more, o Pasha të shtrinë! E për të bërat e tij janë shkruar disa monografi, disa romane historike, disa tregime, madje edhe poema e poezi veçmas për kokën e tij.
Megjithatë, forma më e mirë letrare për të mbetet dramatika, të cilën e ka provuar edhe dramaturgu Milazim Krasniqi, i cili, në dramën Rulèt ruse për Ali Pashën, edhe pse gërget historinë, ruan esencën dramatike, konfliktin. Së këndejmi, po në të vihet re edhe parimi i artit ndërmjet historisë, i cili fishkëllen ndryshe nga të menduarit e Aristotelit në Poetikë.
Në Rulèt..., ndryshe nga librat e tjerë që kemi lexuar për Pashain, qoftë në ata libra historikë, letrarë, dramatikë, thuhet diçka që sështë thënë më herët nga të tjerët, disa fjalë të frikshme për një njeri, të dhembshme në të njëjtën kohë për një komb! Por, se cila ishte dyfytyrësia e Pashait, na zbulon Rulèt ruse... e Padishahut (i kërkojmë falje Krasniqit për këtë cilësim), në të cilën nuk na paraqet atë Aliun burrë të zotin të Vasiliqesë, por Ali naivin e Janinës, që në fund të jetës qanë si vajtojcë (me zë) për vetveten! Më tutje, Krasniqi, edhe pse bën lojë dramatike me jetën e Pashait e historinë e Padishahut, vetë mbrohet: Drama ime është krejtësisht imagjinare. E tërë kjo dramë është vetëm material gjuhësor. Mos kërkoni mesazhe historike! [...] Pastaj, pasi Autori largohet nga skena, ngadalë futen aktorët në skenë.
Loja ruse dhe humbja dëshpëruese (struktura/fabula)
Drama Rulèt ruse për Ali Pashën ka formë dramatike, e realizuar ndërmjet dy llojeve të diskurseve: prozaik e poetik, që shkrihen në zhanrin e dramës tragjike - vrasja e Pashait. Drama ka shtatë pamje. Pamjes së parë i prin Autori i dramës dhe jep shpjegim për idenë e dramës: Vetëm Zoti e di saktësisht se si janë mpleksur ngjarjet që sollën tragjedinë. Drama ime është krejtësisht imagjinare. E tërë kjo dramë është vetëm material gjuhësor. Mos kërkoni mesazhe historike! Këtu vetëm loja e aktorëve është e vërtetë.
Ky paralajmërim i autorit është paksa i dëmshëm për historinë, pasi luan me të si ia do qejfi (si Pashai ruletin rus), por është i mirë për dramën, pasi jep idenë se, para së gjithash, është tekst letrar (dramë/letërsi) dhe duhet të lexohet si i tillë.
Pasi largohet Autori nga skena, ngrihet në këmbë Aliu, (protagonisti i fatit tragjik), e nis të bashkëbisedojë me Kostën (tinëzar e zuzar), Hijën I, Hijën II (që vrasin Syrjanë me urdhrin e Pashës) e gjithsejtë 17 personazhet pjesëmarrës në dramë dhe disa roje e statistë, që su është dhënë statusi i personazheve qëllimisht).
E nga këtu fillon fabula e dramës: Aliu është i shqetësuar për gjendjen e keqe në Stamboll pas ngjarjeve të Kongresit të mallkuar të Vjenës. Ai ka marrë lajmin se Porta e Lartë, Perandoria Otomane, do ta sulmojë Pashain shumë shpejt. Konflikti ndërmjet tyre ka shpërthyer ngaqë Pashai si raporton Perandorisë të vërtetën për shumën e fitimeve të veta, për shkeljen e ligjit, për dashurinë e tij me vasha të reja e djem të ri (dylberë). Ai nis hakmarrjen, por sdinë të mbrohet e ska kush ta mbrojë.
E tërë ajo armiqësi me të është forcuar pas nxitjes së miqve grekë e rusë, të cilët e nxitin Aliun ti kundërpërgjigjet me luftë Padishahut të Turqisë, duke i premtuar Pashës se do ti japin ndihmë në luftë me Turqinë, për ta bërë Arbërinë shtet sovran, vetëm se ky ta bartë bajrakun në luftën kundër tij. Pashai u beson për dhënie të ndihmës. Ia nis sulmit.
Nis për në Stamboll dy djem për ta vrarë Syrja tradhtarin, i cili i shërbente Padishahut për burime spiunazhi, por humb jetën në këtë lojë të shtruar rulete e greke, pasi rusët e grekët, kur Pashai është në hall të madh e u kërkon ndihmë, sndihen gjallë, përpos që ndihen mirë. Ata veçse realizojnë qëllimin e vet, e mashtrojnë Ali Pashën (Aliu: Më braktisën gati të gjithë, o i shtrenjti im Pasha. Më braktisën e ikën të gjithë si minjtë para një tërmeti). Dhe nga këtu dështon ideja diplomatike e humbësit (Pashait) për bërjen e Abërisë shtet. E në prag të vdekjes, Pashai kujton jetën e i lutet Zotit. Por, sërish i mbetet merak ti pjekë të gjallë të gjithë ata që e tradhtuan (Aliu: Po më erdhi dita, do ti pjek të gjallë në hell, siç e poça Çaush Priftin).
E, fatkeqësisht, fryma e tij ndalet në aktin e shtatë të dramës: Ali Pasha më nuk rron, Ali Pasha më nuk rron, thotë Muhamet Pasha, miku më besnik i tij, i cili e therë me shpatë në kraharor.
Dramë historike, pa ngarkesë të politikës paradigmatike
Krasniqi në një intervistë të realizuar nga autori i këtij teksti, botuar po në këtë gazetë (Epoka e re), pati bërë me dije se: pasi ka studiuar gjatë për Aliun, ka lexuar dokumente të ndryshme e libra historikë për të, karakterin, rrethanat historike në të cilat ka vepruar; diplomacinë, konfliktet e tij etj., si rezultat i gjithë kësaj pune të tij hulumtuese, ka vënë re se asnjëri prej atyre librave e dokumenteve nuk e kanë dhënë ashtu si ka qenë në të vërtetë Ali Pashai: një tiran i egër ndaj bashkëkombësve të vet e servil ndaj të huajve. Pashai, sipas Krasniqit, ka pasur taktika të mira, por strategji të gabuara. Kështu që, me dështimin e Ali Pashës ka dështuar ideja për formimin e një shteti të vetëm shqiptar, sepse mbi rrënojat e Pashallëkut të Ali Pashës, pra në hapësirat shqiptare, u ngrit shteti grek!
Kjo dramë ka qenë planifikuar të luhet në Teatrin e Gjakovës, por ish-drejtuesit e Ministrisë së Kulturës i patën vënë embargo, thjesht e patën hequr nga repertori lojën me Pashanë.
Së këndejmi, duhet bërë me dije se drama e Krasniqit nuk synon që nëpërmjet dështimit të Pashait ti kontekstualizojë rrethanat historike e politike me kohën e sotme në Kosovë e punën e Qeverisë. Assesi ska këtë qëllim autori i tekstit, e as smund të nxirret nga konteksti dramatik kjo ide. Mund të nxirret kjo paralele veç nëse ne duam ti fryjmë fyellit për qejf të të tjerëve, pra të shkruajmë qëllimisht, të bëhemi si Kosta i Pashait ose si Syrjai i Padishahut! Kjo dramë e Krasniqit jep mundësi interpretimi, nëse vihet në raport krahasimi, për dështimin e Pashait dhe të Samsonit, vetëm me dramën e Fan S. Nolit, Israelitë e Filistinë.