Aktorët filmit Shok nisën drejt Hollywood
Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku ka publikuar në Facebook dy fotografi në fillim të udhëtimit drejt Los Angeles, në të cilat shihet një pjesë e ekipit të aktorëve të filmit.
Ekipi i filmit Shok, që është nisur për në ceremoninë Oscar, udhëhiqet nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ndërsa bashkë me ta shihen edhe aktorët Lum Veseli, Andi Bajgora, Aurita Agushi, Astrit Kabashi dhe Besnik Krapi.
Top Channel ka mësuar se, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar, nga i gjithë ekipi do të mund të hyjnë vetëm regjisori i filmit, Jamie Donoghue, dhe producenti Eshref Durmishi.
Në këtë film trajtohet miqësia e dy të miturve në kohë të vështira lufte në Kosovë, është i bazuar në një ngjarje të vërtetë, një pjesë e së cilës është ngjarja personale e producentit dhe aktorit, Eshref Durmishi.
Edhe pse Qeveria e Kosovës ka dhënë 70 mijë euro për ta mbështetur promovimin e filmit Shok, Ministria e Kulturës nuk ka organizuar ndonjë aktivitet në Prishtinë për ndjekjen live të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, më 28 shkurt.
Top Channel mëson se, një aktivitet për ndjekjen e Oscar-it do ta organizojë Komuna e Prishtinës, por ende nuk dihen detajet e tij.