Akademik Ali Aliu merr çmimin Azem Shkreli"
Prishtinë, 17 shkurt - Akademiku dhe studiuesi, Ali Aliu është laureat i Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore Azem Shkreli.
Në një ceremoni solemne për nder të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të agjendës së kësaj dite, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ia ka ndarë çmimin akademik Aliut në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e po ashtu çmimet u janë ndarë edhe laureatëve që juria i ka shpallur fitues të Çmimeve vjetore për Letërsi për vitin 2014.
Çmimi për veprën më të mirë në poezi i është ndarë poetit Nexhat Halimi, për veprën Kaq vetëm Fedorë, të cilën laureatit ia ndau Adem Shkreli, vëllai i poetit që e mban çmimi kryesor që ndan MKRS-ja.
Ndërsa Çmimi Vjetor për librin më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë i ndarë studiuesit dhe shkrimtarit Osman Gashi, për veprën Letërsia dhe miti, të cilën Gashit ia dhuroi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Ndërkaq, Çmimin Vjetor për librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe, e ka marrë profesori i gjuhës frënge Masar Stavileci, për përkthimin e veprës Neveria të autorit e filozofit francez Jean Paul Sartre, të cilën ia ndau Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.
Laureati i çmimit Azem Shkreli, akademik Ali Aliu, falënderoi MKRS-në për shpërblimin si dhe pjesëmarrjen e kryeministrit Isa Mustafa në këtë manifestim dhe tha se ndjehet i lumtur për vlerësimin që i është bërë nga vetë profesionistët e kritikët e fushës.
Ajo që më bën të ndjehem më mirë është emri i poetit që e mban këtë çmim. Azem Shkreli për mua, e kam thënë dhe po e them përsëri me bindje, është poeti më i madh i gjuhës shqipe i pjesës së dytë të shek. XX, dhe çdonjëri që ka fatin dhe nderin të laureohet me mbulesën e këtij emri është një nder i veçantë, tha akademik Aliu.
Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore Azem Shkreli kap vlerën financiare, pesë mijë euro, ndërsa secili çmim vjetor 2 mijë e 500 euro dhe ndahen në bazë të rregullores 3114/2009 për Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore Azem Shkreli dhe Çmimet Vjetore për Letërsi.
Ministri Kujtim Shala, në bazë të rregullores, ka marrë vendim për emërimin e jurisë e cila ka vlerësuar laureatët për vitin 2014. Juria profesionale pa pasur këtë përbërje: Anton Berishaj kryetar, Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Ismail Syla dhe Agron Y. Gashi anëtarë.