Aishe Qorraj fiton çmimin e parë për poezi
Prishtinë, 10 qershor - Shkrimtarja Aishe Qorraj-Berisha ka marrë çmimin e parë për poezi nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë Drita me poezinë Me Naimin në ëndërr, kushtuar 165-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar shqiptar Naim Frashërit.
Shkrimtarja Qorraj-Berisha ka konfirmuar se ka qenë e impresionuar dhe e privilegjuar për këtë çmim për faktin se në Kosovë shumë pak vlerësohen vlerat e krijimtarisë letrare.
Ndjehem e lumtur kur më vlerësojnë njerëz të mëdhenj. Për mua nuk është herë e parë që marr çmim, megjithatë një të tillë e vlerësoj në piedestal, për shumë arsye, një ndër to është edhe fakti se në Klubin e Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë, të quajtur Drita-Pelegrin, juria është tejet profesionale, njerëz që botën e artit, shpirtin dhe penën e artistit shqiptar e kanë bashkuar nga të gjitha trojet shqiptare, tha Qorraj-Berisha.
Fituesja e çmimit ka deklaruar se jeton me vargjet e Naimit. Naimit i mbetem obligim moral. Vepra e tij është e pazëvendësuar. Gjuhën e tij e flisnin veç perënditë. Për mua është model që nga fëmijëria. Jetoj në vargun e tij, ka thënë Aishe Qorraj-Berisha.