02 Janar 2025

80 vitet e fundit të Shkodrës në një album fotografik

Shkodër, 31 tetor - 24 fotografi bardh e zi të realizuara që nga viti 1935 e deri në vitin 1989 nga fotografë amatorë, por edhe nga maja e fotografisë shqiptare - Gegë Marubi - iu paraqitën mbrëmë për herë të parë publikut në një ekspozitë me tematikë biçikletën.

E titulluar \"Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime\" ekspozita e organizuar nga GO2 u hap në Muzeun Historik të Qytetit dhe do të qëndrojë deri me 2 Nëntor, për t\'u zhvendosur më pas edhe në Tiranë.

Në fjalën e hapjes, organizatorja Eltjana Shkreli nderoi me një minutë heshtje një nga pedaluesit më të njohur shkodranë, ish-deputetin e PD - Gilman Bakallin - i cili u nda nga jeta para pak ditësh - ndërsa në shenjë homazhi, portreti i tij ishte e vetmja fotografi me ngjyra në ekspozitë.

Më pas përshëndeti edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila premtoi vëmendje më të madhe për aktivitetet e kësaj natyre, si dhe për politikat e lëvizjes urbane në qytet.

Ekspozita përmban 24 fotografi të përzgjedhura nga konkursi i shpallur nga Organizata GO2 në Gusht të këtij viti. Në konkurs morën pjesë 26 konkurrentë të cilët paraqitën 66 fotografi bardh e zi, të realizuara para vitit 1990. Ata sollën fotografi nga albumet familjare dhe pranuan t\'i bëjnë publike historitë e tyre, disa të bukura, por disa edhe tepër të dhimbshme, si rasti i vdekjes së vogëlushes 4-vjeçare, pak ditë pas daljes në njërën prej fotografive konkurruese.

Në bazë të vlerësimit të jurisë, 12 fotografitë më të mira u përfshinë në albumin me të njëjtin titull, i cili u promovua po mbrëmë, në hapësirat e ekspozitës \"Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime\".

Kjo është hera e parë që në Shqipëri botohet një album me fotografi të mbledhura përmes metodologjisë së hulumtimit të fondit personal. 26 fotografitë e përfshira në album janë ndarë në 3 tema: \"Familja ime\", \"Biçikleta ime\" dhe \"Historia ime\" dhe përbëjnë në vetvete një ansambël të harmonizuar mirë mes periudhave historike, si ajo e mbretërisë, e pushtimit, e diktaturës, por edhe e pasviteve \'90 e deri në ditët e sotme.

Duke folur në emër të jurisë, antropologu i njohur Prof. Përparim Kabo kujtoi artisten e madhe shkodrane Marie Logoreci, e cila ishte gjithashtu një nga pedalueset e pakta femra të viteve \'50, duke përshkuar madje me biçikletë, rrugën nga Shkodra në Tiranë, me bashkëshortin e saj.

Edhe anëtari tjetër i jurisë, studiuesi i artit Ermir Hoxha, përgjegjës i Galerisë FAB të Universitetit të Arteve në Tiranë, foli për vlerat artistike të fotografive të paraqitura.

Ekspozita dhe promovimi i albumit \"Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime\", përmbylli Ditën e Biçikletave, të organizuar nga Bashkia Shkodër, Organizata për Lëvizje të Qëndrueshme Urbane GO2, si dhe OJF The Door.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)