50 poezi për borën bashkoi fjollat e borës me bukurinë e fjalës
Prishtinë, 29 nëntor - Festivali ndërkombëtar i poezisë 50 Poems for snow (50 poezi për borën), zhvilloi edicionin e parë në Prishtinë, në qiell të hapur, në natën e borës së parë.
Mbrëmja e së premtes bashkoi fjollat e borës me bukurinë e fjalës së poetëve Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi dhe Ndriçim Ademaj. Krahas poezive të tyre, poetët lexuan edhe vargje të poetit persian Mevlana Xhelaleddin Muhammed Rumi.
Festivali mblodhi dashamirët e fjalës së shkruar, në kopshtin e Soma Book Station, të cilët përcollën leximin e poezive, përkundër të ftohtit dhe borës që binte.
Rënia e hershme e borës, bëri që Prishtina ti prijë listës së qyteteve ku organizohet festivali, pasi qytetet si Toulouse, Londra e Çikago, janë në pritje të borës së parë.
50 Poems for snow është festival i përvitshëm, pa buxhet, që organizohet që nga viti 2012.