390 të rinj trajnohen në Ngritje të Kapaciteteve dhe Shkathtësi Jetësore
Prishtinë, 24 dhjetor - Në kuadër të edukimit dhe aftësimit të të rinjve në fusha të ndryshme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka përkrahur programe të veçanta për përgatitjen e të rinjve të rajoneve e komunave të ndryshme të Kosovës të cilat janë finalizuar këtë javë.
150 zyrtarë të rinj komunal, përfaqësues të qendrave rinore dhe përfaqësues të këshillave të veprimit rinor janë komunal janë trajnuar dhe certifikuar në ngritje të kapaciteteve. Ndërsa, 240 të rinj janë trajnuar në programin Shkathtësi Jetësore përfshirë këtu të rinj edhe nga radhët e komuniteteve pakicë.
Këto dy projekte janë financuar nga MKRS, ndërsa janë zbatuar nga General Management Consultants i cili ka realizuar programin për trajnimin e të rinjve komunal, ndërkaq Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim IMD ka zbatuar programin për Shkathtësi Jetësore.
Faton Peci, këshilltari për rini i Ministrit Kujtim Shala, në emër të ministrit i uroi të rinjtë që kanë përfituar nga këto dy programe në trajnim dhe certifikim.
Ai ua përcolli porosinë e ministrit se MKRS-ja mbetet e përkushtuar që të punojë edhe më shumë në aftësimin, edukimin dhe ngritjen e kapaciteteve rinore duke i mbështetur në projekte konkrete që prekin drejtpërdrejt interesat e të rinjve.