18 mijë euro për shpresat olimpike dhe paraolimpike
Prishtinë, 15 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ndau bursat për shpresat olimpike dhe paraolimpike për 10 sportistë të rekomanduar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Ndarja e bursave e cila u bë për herë të parë, u realizua në bazë të Rregullores nr. 03/2013 për Shpresat Olimpike dhe Paraolimpike, të miratuar vitin e kaluar.
Secilit sportist bursist do ti ndahet shuma me vlerë financiare prej 150 euro në muaj për një vit, dhe në total për shpresat do të jepet një shumë prej 18000 euro.
Ministri Krasniqi e cilësoi këtë fillim vit të suksesshëm për sportin e Kosovës. Pas lajmit nga FIFA, ai konsideroi një moment tjetër të mirë edhe ndarjen e këtyre bursave për këta sportistë.
Nëse vlen rregulli se dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë mund të themi se ky vit do të jetë shumë i mbarë për sportistët tanë. Para disa ditësh morëm lajme të mira për futboll dhe sot jemi mbledhur për një ngjarje shumë të rëndësishme, dhe që po ndodh për herë të parë, për ndarjen e bursave për shpresat olimpike dhe paraolimpike, tha ministri.
Gjithashtu ministri shprehu kënaqësinë e tij që tashmë në bazë të ligjit po stimulohen të rinjtë të merren me sport dhe uroi trajnerët e federatat, duke i porositur që të punojnë me përkushtim edhe më të madh duke premtuar se përkrahja do të rritet edhe më shumë, duke e bërë të mundur kështu edhe thyerjen e izolimit dhe krijimin e mundësive që talenti i shpresave të sportit të vendit tonë të prezantohet në garat ndërkombëtare dhe të bëjë edhe më shumë krenarë qytetarët tonë. Jam shumë i lumtur që kjo është rregulluar me ligj, sikur edhe shpërblimet shtetërore dhe mbështetja e përhershme. Ju keni treguar, bashkë edhe me shumë të tjerë rezultate mahnitëse dhe tash shteti po kryen detyrën e vet ndaj jush, theksoi ministri Krasniqi.
Ndërkaq, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u shpreh se viti i kaluar ishte vit i suksesshëm për sportin në Kosovë. Janë ndarë pesë shpërblime për sukseset e arritura në sport, duke pasuar edhe me ndarjen e këtyre 10 bursave për shpresat dhe sportistët e rinj.
Kurse, Kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini, tha se iniciativa për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara është një gjë e mirë dhe e pritshme që shteti po bën për ta. Ajo e falënderoi ministrin dhe zyrtarët e ministrisë që për herë të parë në bazë ligjore ndajnë mjete financiare edhe për sportistët me aftësi të kufizuara.
Në emrin e sportistëve bursistë, notarja Rita Zeqiri, shprehu kënaqësinë për këtë përkrahje që shteti po bën për ta. Kjo mbështetje na bën neve që të punojmë edhe më shumë dhe është një nxitje shtesë që të arrijmë suksese sa më të mëdha, u shpreh Zeqiri.
Sportistët bursistë të shpresave olimpike dhe paraolimpike që u përkrahën financiarisht për këtë vit janë: Medina Surdulli notare; Rita Zeqiri notare; Vijona Kryeziu atlete; Milot Rashica futbollist; Armend Gjogjaj boksier; Dardan Syla mundje; Baton Çitaku pingpong; Hazir Asllani shigjetar, Akil Gjakova xhudist dhe Distria Krasniqi xhudiste.