Zonat industriale në Kosovë pa infrastrukturë
Prishtinë, 27 dhjetor - Hapja e një zone industriale në Kosovë, në të cilën do të vendoseshin prodhuesit e vegjël dhe të mesëm, do të krijonte vende të reja të punës dhe do të hapte shtigje të reja të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ideja e hapjes së një zone industriale ka lindur pas vizitës në Zonën Industriale Ostim në Ankara, të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe të komunitetit të biznesit. Në OSTIM janë të vendosur pesë mijë firma prodhuese, me një eksport vjetor prej një miliard eurosh.
Kryetari i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Mustafë Hasani, ka kërkuar ndihmën e turqve për hapjen e parqeve të tilla industriale në Kosovë.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, është shprehur i ngazëllyer me Zonën Industriale Ostim.
E shihni që jemi të gatshëm dhe po mundohemi të gjejmë rrugë, jo të gjejmë arsye për dështim. Jemi të vetëdijshëm dhe pajtohemi plotësisht se kjo është rrugë e gjatë dhe kërkon sakrifica e angazhim. Por, e dyta, pse po kam dëshirë të vini në Kosovë dhe ta promovoni këtë qendër dhe ti bini biznesmenët e juaj, qëndron në faktin, po e citoj një libër Më i mirë se i miri është ai që e vlerëson të mirën. Keni vepra të mira dhe këto vepra dëshirojmë ti promovojmë në Kosovë, ka deklaruar Gërxhaliu.
Menaxheri i Zonës Industriale Ostim, Abdullah Corty, është shprehur i gatshëm të ndihmojë në çdo aspekt. Jemi të gatshëm që programet dhe projektet tona, në përkrahje të vëllezërve tanë nga Kosova, tua japim pa ndonjë interes material. Do të ishte mirë të vijmë në Kosovë dhe ti shohim mundësitë e bashkëpunimit. Ju lutem që këto vizita të ndërsjella mos ti shohim si turistike, por si vizita pune, ka theksuar Corty.
Eksperti i ekonomisë, Xhevat Meha, është shprehur se zonat industriale janë një mundësi e mirë për nxitjen e investimeve, qoftë të huaja apo të vendit.
Këto parqe për të qenë efektive do të duhej që me fonde qeveritare, me fonde të donatorëve ose me fonde të kombinuara ta ndërtojnë infrastrukturën e plotë për vendosjen e bizneseve. Parqet ekzistuese nuk janë të kompletuara me infrastrukturë, ka theksuar ai për gazetën.
Sipas tij, plani i biznesit do të duhej ti përcaktonte shumë elemente, të cilat duhet të jenë kritere për dhënie në shfrytëzim si, p.sh., numri i të punësuarve, zëvendësimi i importit me eksport etj.
Këto parqe mund dhe ndoshta do të duhej të ofronin edhe lehtësira tatimore për bizneset, të cilat do të vendosen në to, mirëpo duhet pasur parasysh se ka efekte në konkurrencë, e kjo nuk duhet t\'i shkelë rregullat ligjore të konkurrencës, ka potencuar Meha.
Gazeta Epoka e Re