VV: Nga importi e privatizimi në prodhim vendor
Prishtinë, 21 maj - Lëvizja Vetëvendosje! synon që të kalojë nga importi e privatizimi në prodhim vendës. Kjo ishte edhe temë kryesore e vizitave në qytetin e Prizrenit nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!.
Kryetari Albin Kurti vizitën e tij të tretë që bëri në fabrikën Liri në Prizren ishte i shoqëruar me kandidatët e Prizrenit për deputetë: Mytaher Haskuka, Artan Abrashi, Nora Arapi, Agron Dida, Valizake Thaçi - Celina dhe Levent Kasemi.
Fabrikën Liri Kurti e ka quajtur shembull të suksesit dhe mundësi për zëvendësimin e importit, siç propozon në Alternativën e saj Qeverisëse Lëvizja Vetëvendosje!
Ne mendojmë se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për prodhuesit vendorë nga ana e Qeverisë dhe e shtetit të Kosovës dhe ne besojmë që kjo duhet të ndryshojë menjëherë dhe përgjithmonë, duke filluar nga mundësitë më të mira të heqjes së TVSH-së nga produktet bazë, nga lënda e parë që përdoret për prodhimin e biskotave, karameleve e krem bananeve dhe duke vazhduar më pastaj edhe me tregun vendor për prodhimet vendore, tha ai.
Kurse drejtori menaxhues i kësaj fabrike Taulant Rexhëbeqaj ka falënderuar për vizitën e bërë dhe mbështetjen që Lëvizja Vetëvendosje! u jep prodhuesve vendorë.
Kandidatët e Prizrenit, bashkë me aktivistë të Vetëvendosje!-s kanë vizituar edhe Tregun e Gjelbër të qytetit. Para shitësve në treg Kurti u shpreh se konsideron që shteti nuk u ka dalë në ndihmë prodhuesve e shitësve Më shumë se ¾ e buxhetit mbushet në dogana, por kjo duhet të ndryshohet rrënjësisht. Në qeverisjen e re do të krijojmë kushte pakrahasimisht më të përshtatshme për ta, ka thënë ai. Ndërkaq kandidati Mytaher Haskuka gjatë prononcimit lidhur me kushtet e shitjes në treg tha se duhet të hiqen këto barriera që aktualisht i kanë shitësit dhe për këtë ne angazhohemi për një shtet zhvillimor.
Vizita vazhdoi edhe në lagjen Bazhdarhane në Prizren ku u diskutua me qytetarët për problemet me të cilat ata përballen dhe zgjidhjet që i ofron Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje!