VV: Ligji për Trepçën u bë për privatizim e dialog
Prishtinë, 8 tetor - Mbrëmë, pas mesnate është votuar ligji për privatizim dhe dialog. Nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Dardan Sejdiu në konferencë për media u shpreh se ligji për Trepçën nuk është ligj për sovranizim dhe zhvillim. Përkundrazi, është mënyra më e ligë, më perfide e kontrabandimit të një ligji për asetin kryesor nacional të vendit.
Megjithëse ligji u është dhënë deputetëve vetëm dy ditë para seancës për trajtimin e tij, ne e kemi lexuar ligjin dhe kemi propozuar amandamente për këtë sepse e kuptuam që ligji nuk e trajton Trepçën si aset nacional për zhvillim, por si plaçkën e radhës së Qeverisë e cila për 16 vite e ka deindustrializuar Kosovën, e ka shkatërruar ekonominë dhe ka sjellë papunësinë më të madhe në Evropë, tha Sejdiu në fjalën e tij.
Qeveria me këtë ligj na ka sjellë në situatë ku në secilin nen të këtij ligji sigurohet që privatizimi të bëhet heshturazi, Trepça të shthuret dhe të shitet njësi për njësi biznesore, pra të privatizohet.
Amandamentet tona siguroheshin që Ligji për Trepçën të ishte në përputhje me ligjin për ndërmarrje publike, sepse ashtu sigurohemi që çdo vendim i ristrukturimit, tjetërsimit, zhbërjes, shthurjes të njërës prej njësive të vjen në Kuvend të Kosovës.
Asnjë prej këtyre neneve amandamenteve tona nuk e kanë pranuar. Amandamenti 3 që propozonte Lëvizja Vetëvendosje! ishte që nën-paragrafit 1.1 i nenit 3 të projektligjit, pas fjalisë me emërtimin Trepça - Ndërmarrje në Administrim të AKP ti shtohej fjalia e transformuar me njësitë biznesore të parapara me këtë projektligj si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.
Ata kanë refuzuar ta trajtojnë Trepçën si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.
Për më shumë, ligji aktual me nenet 4, 6, 9, 10, 11 dhe 12, ku në fakt i ka vetëm 19 nene, pra 6 prej 19 neneve gjithsej në këtë ligj krijojnë mundësi për privatizim të secilës njësi veç e veç pa pasur nevojë fare që të aprovohet në Kuvend. Kjo arrihet lehtë sepse i kanë dhënë kompetenca të tilla Bordit Mbikëqyrës që edhe për dividentat të vlerësojë se a do tia japë një njësie apo tjetrës.
Mbrëmë në Kuvend është parë zell i paparë për privatizim të pasurisë dhe më përkushtim të hatashëm që të vazhdohet me këto politika, të cilat që 16 vite që e kanë deindustrializur dhe shkatërruar ekonominë e Republikës së Kosovës, ka thënë Sejdiu.
Ai ka shtuar se Muahmet Mustafa, Isa Mustafa dhe ekipi i tij në fakt ka bërë atë që janë duke e bërë Kosovë saktë që nga viti 2001, në mungesë idesh për zhvillim, ata shesin, në proces pasurohen për vete, derisa qytetarët varfërohen. Sot Republika e Kosovës një ditë pas këtij votimi ka rrezik të mbetet pa një prej sektorët kryesorë që siguron zhvillim dhe sovranitet për Republikën e Kosovës.