Volkswagen tërheq 190 mijë vetura Tiguan
Frankfurt, 15 gusht - Prodhuesi gjerman i veturave Volkswagen ka lëshuar një komunikatë për media që do të tërheq nga rrugët afro 189,490 vetura të modelit Tiguan që dyshohen se i janë shfaqur probleme me pompën e derivateve.
Këto probleme mund të qojnë deri te fikja e motorit gjatë ngasjes, bëjnë të ditur në Volkswagen, kurse veturat që do të tërhiqen nga rrugët janë të prodhimeve në mes të viteve 2007-2014.
Edhe pse në këtë kompani kanë pranuar se këto probleme më së shumti shfaqen kur vetura është në lëvizje dhe që mund të qoj deri tek fikja e motorit, ata frikësohen se ky problem mund të rris gjasat për ndeshje.
Sipas të dhënave të cilat i ka bërë publike agjencia kombëtare për siguri në trafik i Amerikës (NHTSA), shumica e këtyre veturave më këto probleme janë të regjistruara në Amerikë, me afro 151.000 njësi.
Në Volkswagen kanë bërë të ditur se do të informojnë pronarët e veturave të cilat ftohen për servisim të menjëhershëm dhe pa pagesë.