24 Dhjetor 2024

Volkswagen e prodhon Golfin e 30 miliontë

Frankfurt, 8 tetor - Kjo është një datë e përmasave historike: Vetura e 30 miliontë e Golfit doli nga linja e prodhimit në fabrikën e Volkswagenit në Wolfsburg - një rekord i ri i prodhimit për veturën më të suksesshme evropiane të të gjitha kohërave.

Prodhimi origjinal i Golf nisi në vitin 1974. Që atëherë, sipas statistikave, një mesatare prej 2.000 njerëzve e kanë blerë një Golf të ri - “das Auto” - çdo ditë gjatë 39 viteve të fundit.

Vetura e 30 miliontë është një GOLF TDI BlueMotion; ky model i sapo promovuar ka një vlerë të konsumit të karburantit prej vetëm 3.2l /100 km, që e bën veturën më efikase të Golf që është prodhuar ndonjëherë. Volkswagen – Golf 7, gjenerata e shtatë e “mbretit” të klasës kompakte dhe automjeti më i preferuar në Evropë, tani mund të gjendet edhe në Republikën e Kosovës, falë importuesit gjeneral Porsche Kosova.

Profesori Martin Winterkorn, president i Bordit të Menaxhimit të Volkswagen AG, gjithashtu e pranoi zyrtarisht mirënjohjen “Vetura e vitit 2013” për Golf, e cila u përzgjodh nga një juri prej 60 anëtarëve internacionalë.

 Prof. Winterkorn komentoi mbi këto dy gjëra: “Historia e Golf është gjithashtu edhe historia e përparimit të industrisë automobilistike. Me teknologjitë si ngasja e sigurt me rrotat e përparme në Golfin e parë, me debutimin e TDI-së në Golfin e tretë, ESC (Kontrolli elektronik i stabiliteti) dhe ndërruesin modern të shpejtësive (DSG) të Golfit të katërt, si dhe sistemin e frenimit automatik pas-përplasjes të gjeneratës së re, kjo veturë ka vazhduar të bëjë progres.\"

\"Siguria, komforti dhe kënaqësia e vozitjes nuk janë më çështje e parasë, e tërë kjo duke iu falënderuar Golfit. Dhe kështu, vetura jonë më e shitur e mban gjallë emrin e Volkswagenit”.

Shtatë gjeneratat e GOLF-it që e shkruan historinë

GOLF I (1974-1983): “Gjithçka filloi në vitin 1974 me një revolucion”, kështu e përshkruan Klaus Bischoff, Drejtori i Dizajnimit për përfaqësinë e Volkswagenit. “Hapi prej Beetle në Golf ishte revolucionar. Një pamje e re e veturës u krijua me konvertimin prej motorit të pasmë me ftohje të ajrit në motor të përparmë me ftohje të ujit dhe nga ngasja me rrotat e prapme në ngasjen me rrotat e përparme. Në aspektin e dizajnimit të veturës, dizajnerët e Volkswagenit kaluan nga format e rrumbullakëta në një strukturë drejtkëndëshe të dizajnimit - të bazuar nga studimi legjendar i dizajnit nga Giorgio Giugiaro”.

GOLF II (1983 - 1991): Ky ishte Golfi në të cilin teknologjitë e Volkswagenit si, konvertuesi katalitik i kontrolluar (1984), ABS (1986) dhe ngasja me katër rrotat (1986) u prezantuan. Në këtë gjeneratë, seritë e modeleve u avancuan që të bëheshin ikonë definitive. Marc Lichte, udhëheqës i Dizajnimit të jashtëm për Volkswagen rikujton: “Atëkohë, një ndër momentet kyçe në histori të Golfit ishte vendimi nga anëtarët e bordit që të shkojnë më tej me përpunimin e dizajnimit të Golf I dhe ta konceptualizojnë GOLF II duke u bazuar në ADN-në e saj. Kjo gjë vuri çdo gjë në funksion, dhe Volkswageni krijoi bazën për zhvillimin e mëtutjeshëm të modeleve të tjera”.

GOLF III (1991-1997): Në vitin 1991, Volkswageni inicioi një epokë të re të sigurisë në gjeneratën e tretë. Fillimisht, Golf III ishte modeli i parë i serisë që ofroi jastëkë të ajrit të përparmë në vitin 1992; gjithashtu, përparim të madh në fushën e prodhimit çoi në përmirësimin e sigurisë gjatë ndeshjeve. Motori i parë TDI i serisë së modeleve gjithashtu u prezantua në këtë Golf (1993).

GOLF IV (1997-2003): Nën drejtimin e ish-Udhëheqësit të Grupit Dizajnit, Hartmut Warkuss, u krijua një dizajn preciz i cili do ta shtronte rrugën për të ardhmen e Volkswagenit. Sot, ekspertët e shikojnë Golf IV si një ikonë të dizajnit dhe një pionier për seritë. Por, ky Golf ishte edhe një inovator i inxhinierisë me teknologjitë si ESC (1998) dhe ndërruesin modern të shpejtësive DSG (2002).

GOLF V (2003-2008): Ishte thjeshtë Golf, komforti i tij, dinamika dhe mbi të gjitha, cilësia e tij që i la konkurrentët e tij të klasës së mesme duke e ndjekur nga pas. Një vlerë që e ilustron stabilitetin e shasisë së salduar me laser është rritja prej 35% në rezistencën ndaj dridhjeve kur Golf V debutoi në vitin 2003. Golfi i parë BlueMotion (4.5l/100 km konsum të karburantit) - i bazuar në Golf V- u krijua në vitin 2007.

Golf VI (2008-2012): Trupi i veturës, edhe një herë i salduar me laser, ishte aq i sigurt sa që përformoi me ngjyra fluturuese në EuroNCAP testin për përplasje, duke e fituar maksimumin e pikëve, saktësisht 5 yje. Triumfi i motorëve TSI (motorët e teknologjisë së lartë me benzinë) dhe konvertimi i turbodizelëve (TDI) në sistemin (Common rail), çoi në një përformancë më dinamike dhe konsum më ekonomik të karburantit për vetëm 3.8l /100km.

Golf VII (prej 2012-ës): Pesha u zvogëlua për 100kg në gjeneratën e shtatë të Golfit, duke i shuar kështu diskutimet e mëdha për peshën. Konsumi i karburantit u reduktua për 23% më shumë në krahasim me modelin e kaluar, varësisht nga motori specifik. Pararendës i kësaj lëvizjeje është Golf TDI BlueMotion me një konsum mesatar të karburantit prej 3.2l /100km, dhe gjithashtu është vetura e 30 miliontë e prodhuar.

Golf VII përfundimisht do të hyjë në histori si modeli kompakt në të cilin e tërë gama e sistemeve të asistencës e bëri debutimin e saj. Ato janë sisteme të tilla si ‘mbrojtja preventive para-përplasjes’ si dhe ‘sistemi i frenimit automatik pas-përplasjes’ - teknologji këto të cilat ishin të parapara që të ofroheshin më shumë në klasën “premium” se sa në klasën kompakte të veturave. Kjo gjithashtu dëshmon demokratizimin në përparimin e industrisë automobilistike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)