Vihet gurthemeli i projektit për trajtimin e ujërave të zeza
Prishtinë, 28 prill - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte i pranishëm në vendosjen e gurthemelit të projektit Përmirësimi i cilësisë së ujit në liqenin e Badovcit përmes sistemit adekuat të menaxhimit të ujërave të zeza.
Nga të pranishmit, ky projekt u konsiderua si shumë i rëndësishëm jo vetëm për banorët e këtij rajoni, por edhe për Komunën e Prishtinës në përgjithësi dhe do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të ujit të pijshëm.
Si pjesë e këtij projekti është edhe rrjeti i kanalizimit që financohet nga Komuna e Prishtinës, rreth 22 km kanalizim që përfshin fshatrat Mramor, Sutesk dhe Busi. Më pas, që të gjitha ujërat do të grumbullohen në një kolektorë kryesorë, si dhe më pas do të pastrohen në impiantin për trajtimin e ujërave të zeza.
Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, z. Ivo ilhavý, tha se ndjehet krenar që është i pranishëm në fillimin e këtij projekti që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ujit të liqenit të Badovcit dhe nga i cili do të përfitojnë në veçanti banorët e këtij rajoni.
Ky projekt, sipas ambasadorit ilhavý do të ngrisë cilësinë e jetesës dhe do të ndikojë në përmirësimin e çështjes së shëndetit në përgjithësi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me këtë rast tha se liqeni i Badovcit është një prej dy akumulimeve kryesore për përdorimin e ujit të pijshëm.
E dini se Ujësjellësi Regjional KUR Prishtina gjatë vitit të kaluar ka filluar punimet për ndërrimin e rrjetit në Komunën e Prishtinës për furnizimin me ujë të pijshëm, posaçërisht nga liqeni i Badovcit. Sivjet kemi fatin që ky liqe, për herë të parë pas shumë vitesh ta arrijë nivelin maksimal dhe tashmë prodhon 400 litra ujë në sekondë. Për neve është jashtëzakonisht me rëndësi që të trajtohen ujërat e zeza të cilat janë zbrazur në liqenin Badovcit, tha kryetari Ahmeti.
Ahmeti tha se ndihma e donatorëve gjithmonë është e mirëseardhur dhe se me Qeverinë e Republikës së Çekisë ka një përvojë shumë të mirë, ngaqë zakonisht me projekte të tilla përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët.
Në këtë drejtim po e zgjidhim një problem tepër të madh që e kanë pasur jo vetëm këto fshatra por edhe një pjesë e madhe e Komunës së Prishtinës në përgjithësi. Andaj, i ftoj edhe donatorët e tjerë që ta ndjekin shembullin e qeverisë ceke ku përfitues i drejtpërdrejtë është qytetari, tha Ahmeti.
Vlera e këtij projekti pritet të jetë mbi 1.5 milion euro. Qeveria e Republikës së Çekisë do të investojë rreth 700 mijë euro në rregullimin e impiantit, ndërsa Komuna e Prishtinës do të investojë afër 800 mijë euro në rregullimin e rrjetit të kanalizimit në fshatrat Mramor, Busi dhe Sutesk.
Në kuadër të këtij projekti përfshihet edhe një kampanjë vetëdijësimi për nxënës, mësues dhe familjarë se si duhet të mendojnë në mbrojtjen e ambientin dhe ruajtjen e kualitetit të ujit të pijshëm, se si të sillen me ambientin.
Po ashtu, të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KUR Prishtina, Gjelosh Vataj, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i cili tha se ky projekt ka një rëndësi shumëdimensionale për banorët e kësaj ane, etj.