Vetëvendosje: Bechtel-Enka-s po i falen resurset e Kosovës
Prishtinë, 9 mars - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se resurset natyrore të Kosovës po i falen kompanisë Bechtel-Enka.
Vetëvendosje i ka bërë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të mos e nënshkruajë marrëveshjen për ndërtimin e gurthyesit në fshatin Grabovc të Ulët të Fushë Kosovës.
Deputeti nga radhët e VV-së, Liburn Aliu, në një konferencë për mediat, ka thënë se ligjet e Kosovës për mjedisin janë të qarta dhe moderne, porse "ato nuk respektohen për shkak të interesave qeveritarë".
Ai ka thënë së në afërsi të fshatit Grabovc i Ulët në afërsi të Fushë Kosovës, po përgatitet hapja e një gurëthyesi.
Zona në fjalë është tepër e pasur nga biodiversiteti si për nga flora, si për nga bota shtazore, është një zonë e pasur me liqene, si e tillë është e rrallë për hapësirën e Kosovës.
Pikërisht këtu në këtë zonë Kompania tashmë e njohur, Bechtel-Enka po këmbëngul të hapë një gurëthyes.
Aliu ka theksuar se fshati Grabovc i Ulët është një lloj oaze me bukuri natyrore dhe nuk do të duhej që "gurthyesi të shkatërronte një mjedis kaq të shëndetshëm, vetëm pse ai tani është bërë simbol i qeverisë Thaçi".
Çështja e gurthyesve është shndërruar në një sindromë dhe realisht gurthyesi është shëdërruar në një simbol të pushtetit të sotëm. Gurthyesit po e degradojnë natyrën. Pushteti përmes tyre po degradon natyrën dhe jo vetëm mirëqenien e qytetarëve, ka thënë Aliu.
Kohë më parë, në këtë zonë sipas Aliut janë prerë një sipërfaqe mjaftë e gjerë e pyjeve në emër të procesit të hulumtimit dhe tani ka kanë filluar përgatitjet për të hapur këtë gurëthyes.
Kompania në fjalë sipas tij ka marr një leje për hulumtim nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
"Edhe leja për hulumtim, edhe veprimet që i kam marr kompania në këtë zonë, janë veprime të kundërligjshme. Procedurat ligjore e definojnë mjaft qartë çështjen e marrjes së lejes për gurëthyes, të lejes mjedisore, të lejes së punës, e kështu me radhë", ka theksuar Aliu.
Sipas ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, kompania është e obliguar që të marr pëlqim mjedisor, i cili pëlqim vjen pas një shqyrtimi profesional të ndikimeve në mjedis e që përfundon me një raport.
Banorët e fshatit Grabovc i Ulët, kanë penguar dje disa kamionë që të shkojnë në atë vend.
Ata kanë shprehur gatishmërinë që të pengojnë mbjelljen e një gurëthyesi në këtë zonë.