Vende të OPEC, do të rritin prodhimin e naftës
Londër, 10 mars - Rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar mund të frenohet me shtimin e prodhimit.
Gazeta britanike, Financal Times, thotë se disa vende anëtare të OPEC-ut, po përgatiten të shtojnë prodhimin, për të frenuar ngritjen e shpejtë të çmimit të naftës, në tregun ndërkombëtar.
Siç shkruan gazeta, tani disa vende të OPEC-ut, po zhvillojnë bisedime mes tyre për të shtuar prodhimin e naftës.
Mes vendeve përfshihet Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Gazeta citon një burim, që thotë se shtimi i prodhimit të naftës, mund të fillojë nga fillimi i prillit. Pritet që prodhimi të arrijë 300 mijë fuçi çdo ditë.
Ndërkohë, Irani dhe Algjeria, si edhe disa vende të tjera anëtare, kundërshtojnë shtimin e prodhimit të naftës.
Trazirat e ditëve të fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, po ndikojnë tregun ndërkombëtar të naftës. Kohët e fundit çmimi i naftës bruto Brent, në bursën e Londrës arriti nivelin më të lartë, 115 dollarë për fuçi.