24 Dhjetor 2024

Vazhdojnë rrënimet pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit

Prishtinë, 15 shkurt - Rrënimet e objekteve që ndodhen brenda Qendrës Historike të Prizrenit, pa u pajisur me leje nga organet kompetente po vazhdojnë edhe në këtë vit. Rasti i fundit ka ndodhur para dy javësh në rrugën e Saraçëve, ku pala nuk ka përfillur kërkesat ligjore për ndërmarrjen e veprimit rrënues.

Në përgjigjen e Drejtorisë së Inspektorateve (DI), thuhet se Inspektori i ndërtimtarisë me datë 30 janar 2016, rreth orës 11:00 ka dalë në vendngjarje ku me prosecverbal ka konstatuar se pronari ka rrënuar në tërësi objektin (P+0) me sipërfaqe 40 metra katrorë.

“Objekti është në kuadër të zonës historike, ndërsa rrënimi është bërë pa u pajisur me leje nga organi kompetent”, thuhet në shkresën e DI-së. Ky dikaster ka pohuar se në të njëjtën datë, rreth orës 14:00, Inspektori i ndërtimtarisë ka konstatuar se edhe pas urdhrit të dhënë, “i njëjti pronar ka vazhduar me rrënimin e objekteve katshmëria P+1, sipërfaqja 25 metra katrorë...”.

“Për rrënimet e kryera pronari nuk posedon leje për rrënim ashtu që konform UA 20/2013, pronarit i shqiptohen dy dënime mandatore nga 500 euro dhe ndërmerren procedurat e tjera në bazë të kompetencave dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e DI-së.

Ndërsa Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren ka njoftuar se pronari ka adresuar kërkesën për rrënimin e ndërtesës ekzistuese në rrugën e “Saraçëve” më 14 dhjetor 2015, dhe se QRTK e ka refuzuar kërkesën më datë 18 dhjetor 2015. QRTK ka sqaruar se pas njoftimit se pala e ka rrënuar ndërtesën, ka dërguar shkresa te Kryetari i Komunës së Prizrenit, Drejtoria e Inspektorateve dhe në MKRS, në të cilat ka bërë të ditur se pala e ka rrënuar objektin në fjalë pa pëlqimin e QRTK-së.

QRTK më 18 dhjetor 2015 i kishte dërguar një shkresë edhe Drejtorisë së Urbanizimit (DUPH) në Prizren me anë të cilës e njoftonte këtë organ se nuk e procedon tutje kërkesën e bërë nga kjo drejtori, lidhur me këtë lëndë. QRTK asokohe ka kërkuar që kërkesa e DUPH-së të adresohet konfrom legjislacionit, përkatësisht Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore).

“E njëjta duhet të kaloj edhe në proces konsultativ, po ashtu në përputhje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, dispozitave të caktuara për çdo veprimtari duke përfshirë edhe pronarët, palët si parashtrues së kërkesave”, thuhet në shkresën e QRTK-së, ku po ashtu rikujtohet DUPH-ja se QRTK dhe Komisioni i MKRS-së kërkojnë që kërkesat të adresohen në përputhje me ligjin, ngase në të kundërtën nuk do të procedohen, duke filluar nga adresimi e deri te kompletimi i lëndës.  

Ky rast paraqet vazhdimësinë e shkeljeve ligjore në Qendrën Historike të Prizrenit, ku dëshmohet edhe njëherë mospërfillja ndaj autoriteteve të trashëgimisë kulturore dhe detyrimit për pajisje me leje urbanistike për rrënim.

Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe konstaton se mungesa e koordinimit të mirëfilltë institucional në të gjitha nivelet po vazhdon që t’i minojë përpjekjet për vendosjen e ligjshmërisë dhe rregullsisë në Qendrën Historike të Prizrenit.

Prandaj edhe njëherë bën thirrje që institucionet e të  gjitha niveleve  të  shtojnë  nivelin  e përgjegjësisë  së  tyre në  zbatimin e ligjit, duke sanksionuar shkelësit, ndërkohë që paralelisht duhet ti shtojnë  angazhimet  në  drejtim  të  ruajtjes,  konservimit  dhe  promovimit  të  vlerave  të  rralla  të trashëgimisë së qytetit të Prizrenit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)