Vala e 51 mbledh mbi 9 milion euro
Prishtinë, 17 gusht - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të Valës 51 të privatizimit shpalli fituesit e përkohshëm për Ndërmarrjet e reja të tenderuara përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt.
Gjithsej 42 Ndërmarrje të Reja ishin në dispozicion për shitje, të krijuara nga 30 Ndërmarrje Shoqërore. Komisionin për hapjen dhe vlerësimin e ofertave, përveç stafit të AKP-së morën pjesë edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Gjithsej janë pranuar 82 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 9.204, 871 euro.
Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Mrika Tahiri tha se Vala 51 e privatizimit ka një rëndësi të veçantë për AKP-në, pasi që paraqet Valën me më së shumti ndërmarrje të ofruara për shitje. Tahiri njoftoi se deri më tani janë privatizuar 295 Ndërmarrje Shoqërore dhe janë krijuar 650 Ndërmarrje të Reja, ndërkaq janë grumbulluar në fondet në mirëbesim 578 milionë euro. Nga ky fond, 20% i shpërndarë për punëtorët deri me sot arrin vlerën prej 43.5 milionë euro, tha zëvendësdrejtoresha e AKP-së.
Znj. Mrika Tahiri gjithashtu njoftoi se AKP ka filluar edhe me shpërndarjet e para të fondeve për kreditorët e ndërmarrjeve në likuidim, dhe ky proces pritet të përshpejtohet me hyrjen në fuqi të pakos së ligjeve të reja që ndërlidhen me punën e Agjencisë.