USAID ndihmon zhvillimin e industrisë së riciklimit
Prishtinë, 5 maj Sot, Kosova ka bërë dërgesën e 15 tonëve të parë me petëza PET, falë një lidhjeje të biznesit mes kompanisë KRONI, i vetmi riciklues i PET në Kosovë dhe CSG Werkzeug Maschinen Service GmbH në Gjermani, lidhje kjo e realizuar nga Programi për Ndërmarrje Private të Kosovës.
Dërgesa prej 22 tonë petëza PET, që ka gjasa reale për tu shndërruar në një kontratë një-vjeçare mes kompanisë KRONI dhe kompanisë gjermane, është gjithashtu një hap shumë i rëndësishëm drejt zhvillimit të industrisë së riciklimit të PET në Kosovë, tha Drejtori i Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë David Cowles.
Strategjia e Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë (KPEP) është përqendruar në punën me kompani dhe përpunues ekzistues në riciklim për të identifikuar stimuj për mbledhjen dhe eksportimin apo përpunimin e plastikës dhe materialeve të tjera të riciklueshme, si dhe për të krijuar nisma apo dhe lidhje biznesore.
Përpjekjet e KPEP në vitin e tij të dytë do të përqendrohen në zgjerimin e pilot-përpjekjeve për riciklim, duke krijuar lidhje të duhura biznesore dhe duke promovuar organizimin dhe bashkëpunimin në sektorin privat të grumbullimit në shkallë të vogël.
Programi për Ndërmarrje Private të Kosovës është një aktivitet katër-vjeçar i krijuar për të stimuluar ekonominë e Kosovës duke rritur aftësinë konkurruese të biznesit privat, i përkrahur nga populli amerikan përmes Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID). Përmes Programit për Ndërmarrje Private të Kosovës (KPEP) USAID përmirëson aftësinë konkurruese të bizneseve duke punuar në sektorë që kanë potencial për tu zhvilluar.