Unaza e gazit, kërkohet mbështetja e Turqisë për kyçjen e Kosovës
Prishtinë, 16 nëntor - Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Këshillit Atlantik për Energji dhe Ekonomi në Stamboll, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj është takuar sot me ministrin për Energji dhe Resurse Natyrore të Turqisë, Taner Yildiz, ndërsa takime të veçanta bilaterale ka pasur edhe me ministra dhe ambasadorë të vendeve të rajonit dhe më gjerë.
Në takimin me homologun e tij turk, Beqaj ka potencuar që Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinë, si dhe ka diskutuar rreth proceseve të rëndësishme zhvillimore në fushën e ekonomisë në Kosovë dhe rajon.
Beqaj dhe Yildiz kanë diskutuar rreth aktiviteteve të cilat do të realizohen në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Turqisë.
Kreu i MZHE-së ka theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në unazën e gazit, e cila ka rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, për çka ka kërkuar përkrahjen e Turqisë për Kosovës në këtë proces.
Me këtë rast ministri Beqaj ka ftuar ministrin Yildiz të vizitojë Republikën e Kosovës, i cili ka konfirmuar gatishmërinë e tij për të realizuar këtë vizitë në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjithashtu, Beqaj ka njoftuar ministrin e Turqisë lidhur me zhvillimet e përgjithshme në fushën e energjisë dhe organizimin e Konferencës së Donatorëve, me çrast ministri turk ka shprehur vullnetin e plotë për të ofruar kontributin e Turqisë sikurse vendet e tjera.
Ndryshe, ministri Beqaj planifikon të qëndrojë edhe në qytetin Bursa të Turqisë, ku do të prezantojë mundësitë për investime në të gjithë sektorët prodhues në Republikën e Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, planifikohet të vizitohen kapacitetet prodhuese turke dhe me origjinë shqiptare, si dhe me këtë rast do të bëhet thirrje për zhvendosjen e kapaciteteve prodhuese në sektorin e përpunimit të metaleve, plastikës, ushqimit, tekstilit dhe sektorëve të tjerë strategjik.
Ministri Beqaj do të vë në dukje se Kosova është e gatshme për tërheqje të investimeve në sektorin prodhues në mënyrë që të rritet potenciali eksportues i Kosovës drejt vendeve të BE-së dhe më gjerë.