Ukraina e pakënaqur nga BE për zgjidhjen e gazit me Rusinë
Kiev, 28 maj - Ukraina njoftoi sot se nuk është e kënaqur për planin e propozuar nga BE-ja për të rregulluar konfliktin e gazit mes Kievit dhe Moskës dhe kërkon garanci për uljen e çmimit para se të rimbursojë borxhin që i ka Rusisë.
Ajo që ne po dëgjojmë tani është, ju paguani dhe ne do bisedojmë më pas, deklaroi ministri ukrainas i Financave Oleksandr Chlapak.
Kjo nuk na shkon për shtat, shtoi ministri ukrainas.
Ndërkohë që komisioneri evropian i Energjisë, Gunther Oettinger, kishte njoftuar se pas përfundimit të negociatave trepalëshe në Berlin, shikon mundësi të mira për arritjen e një marrëveshje deri në 1 qershor.
Pas shkarkimit të presidnetit ukrainas Viktor Janukoviç në shkurt dhe ardhjes në pushtet të autoriteteve të reja proevropiane, Rusia i dha fund reduktimit të çmimit të gazit që ajo i kishte akorduar Ukrainës, duke e rritur atë në 485 dollarë për një mijë metër kub gaz, nga çmimet më të larta në Evropë.
Moska për më tepër kërcënoi se do të ndërpresë gazin për Ukrainën në fillim të qershorit nëse Kievi nuk bën parapagesë për këtë muaj, rreth 1,66 miliardë dollarë ose 1,2 miliardë euro.
Sipas planit evropian, dy vendet kanë kohë deri nesër në mbrëmje për të pranuar termat e kompromisit, ku Ukraina duhet ti paguaj fillimisht dy miliardë dollarë furnitorit rus Gazprom. Kjo pagesë përfshin një pjesë të borxheve që Ukraina ka akumuluar ndaj Gazprom-it.
Nëse kjo marrëveshje nënshkruhet nga të dyja palët në kohë, negociatat mbi çmimin e gazit do të rifillojnë që ditën e enjte.
Në një kohë të dytë, kompania ukrainase e gazit Naftogaz do ti paguajë Gazpromit 500 milionë dollarë në 7 qershor.