Uji i pijshëm nga Ujësjellësi ''Prishtina'' i sigurt 100 për qind
Prishtinë, 7 dhjetor - Qëllimi kryesor i Laboratorit të akredituar për cilësinë e ujit të pijshëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ''Prishtina'' është organizimi dhe funksionimi i tij, si laborator për kontrollën e kualitetit të ujit bazuar në Standardet cilësore aplikative dhe ato Evropiane mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit.
Kjo direktivë përcakton dallimet në mes të parametrave mikrobiologjik dhe atyre fiziko- kimik. Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj.
Laboratori i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë pikë së pari mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqejve, puseve dhe lumenjëve.
Laboratorët tanë të cilët janë të akredituar shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE-ja, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC.
Sipas planit ditor, javor dhe mujor për monitorimin e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU ''Prishtina'' sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq(Kanali Ibër-Lepencit) si dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi , Graqanicë dhe Vragoli si dhe pesëmbedhjetë pikat në rrjetin e qytetit , në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues percjellim çdoherë kualitetin e ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi.
Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr.16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu.
Një vëllim kaq i madh i punës dhe një kontrollë ditore bazike dhe periodike, bënë që uji i pijshëm të jetë i sigurt 100% .
Me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do te bëhët mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet nga fabrikat e ujit në Albanik ,Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan ,Drenas dhe Podujevë si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet. Paralelisht me laboratorin e akredituar të KRU,,Prishtina,, sh.a. analizat bëhen çdoherë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës.