U hap fabrika ARKOS në Parkun e Biznesit në Drenas
Prishtinë, 12 shtator - Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të kompanisë ARKOS në Parkun e Biznesit në Drenas, e themeluar më 2012. ARKOS llc është një kompani kosovare, e lindur nga ideja e z. Salvatore Tafuro, President i kompanisë.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami i siguroi të pranishmit se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë prioritet kryesor ka zhvillimin ekonomik.
Si rrjedhojë e kësaj MTI është shumë e interesuar të sigurojë përkrahje për bizneset, të cilat me punën e tyre mundësojnë hapje të vendeve të reja të punës, ashtu siç është edhe edhe ky investim italian, që sot po fillon punën.
Bashkëpunimi mes sektorit privat dhe publik është shumë i rëndësishëm, për të pasur një ngritje ekonomike, prandaj edhe jemi të vendosur që të kemi një bashkëpunim në vazhdimësi me sektorin privat.
Gjatë këtij mandati qeveria ka ndërmarrë disa reforma në dobi të bizneseve siç është edhe rasti i pakos së re fiskale e cila ndër të tjera lehtëson punën e bizneseve që merren me prodhim.
Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik siguron që të punohet në eliminimin e barrierave me të cilat ballafaqohen bizneset. Të gjitha këto dhe kjo ceremoni sot, dëshmon për përkushtimin e qeverisë në zhvillimin ekonomik të vendit, shtoi ministrja.
Jam veçanërisht e lumtur që ky investim bëhet pikërisht në Parkun e Biznesit, vazhdoi ministrja, ne si MTI jemi të interesuar të zgjerojmë edhe më shumë hapësirën në këtë Park dhe shumë shpejt do të kemi edhe inkubatorin e biznesit i cili gjithsesi do të krijojë lehtësira për funksionalizimin e këtyre bizneseve.
Kompanisë ARKOS i dëshirojmë suksese dhe po ashtu urojmë që në të ardhmen e afërt të rrisë kapacitetet prodhuese, përfundoi ministrja Bajrami.